Për herë të parë ndodh që, fokusi i Bashkisë Sarandë, bëhen udhërrëfyesit turistikë të brezit që ka vënë gurin e themelit në prezantimin me dashuri e pasion të aseteve të qytetit të turizmit e më gjerë. Rreth 20 profesionistë, guidues të grupeve turistike prej dekadash më parë e në vijim, janë vënë në qendër të aktivitetit të organizuar në kuadër të 27 shtatorit, Ditës Botërore të Turizmit. Pasi janë mirëseardhur para institucionit të Bashkisë nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, bashkëbisedimi me udhërrëfyesit nga Saranda dhe Bashki fqinje, ka vijuar si një miniguidë vizitash. Ato janë shtrirë në hapësirën nga Bazilika-Sinagogë, tek bunkeri sombol i luftës së ftohtë, në muzeun arkeologjik e Muzeun e Traditës. Në këto ndalesa udhërrëfyesit veteranë nga i gjithë rajoni, plotësuan me informacion shtesë ciceronin e radhës, duke e bërë më profesional dhe interaktiv bashëbisedimin. Në sallën e Galerisë “Art-Saranda”, ku ishte ndalesa e fundit, të gjithë u ndjenë të vlerësuar që, si kurrë ndonjëherë, u bënë ata protagonistë të organizimit bashkiak me dedikim Ditën Botërore të Turizmit. “Në vlerësimin tim, të hedhësh dritë dhe të promovosh asetet dhe atraksionet turistike tek turistët e huaj, që ju kini guiduar në dekada me radhë, ky është një shërbim shumë i çmuar, profesional po se po, por edhe kontribut qytetar”, tha në përshëndetjen e vet Kryetari Adrian Gurma. Ai e ka institucionalizuar këtë nderim, duke vlerësuar secilin nga udhërrëfyesit e pranishëm dhe ata që nuk mundën të vijnë, me Çertifikatë Mirënjohjeje dhe një paketë botimesh që bashkojnë turizmin me artin dhe kulturën. Duke marrë vlerësimin e personalizuar, secili prej udhërrëfyesve u shpreh falenderues për vëmendjen, të mrekulluar për emocionin që morën, duke treguar edhe episode nga vështirësitë e fillimit dhe sfidat e kapërcimit të tyre, drejt profesionalizmit dhe kompetencës.