Ndërkohë që shetitorja ishte e mbushur me njerëz, mbrëmja e të shtunës u mbush edhe me tinguj. Koncertin e fundjavës të Qendrës Kulturore të Bashkisë e çelën këngëtarët Pranvera Brinja e Sokol Hasani. Pas tyre performoi Kristina Barzuka, vajza sarandiote debutuese dhe fituese e “Tha voice” në shtetin grek. Skena te Sheshi i Limanit ishte pastaj e tëra për dy nga legjendat e këngës së lehtë shqiptare, Kozma Dushi e Liljana Kondakçi, të ftuar specialë të këtij koncerti. Ata përshëndetën Bashkinë e Sarandës dhe Kryetarin e saj Adrian Gurma, për mbështetjen. Zërat e tyre sollën për publikun dhe pushuesit e shumtë që i ndoqën, një tufë këngësh të përzgjedhura nga repertori, duke krijuar emocion dhe nostalgji për këngën e lehtë të dekadave më parë. Në duet me Kozma Dushin, interpretoi edhe këngëtari Sokol Lulo. Koncerti u mbyll me këngën e dashur “Valsi i lumturisë”, nën interpretimin e përbashkët të artistëve Dushi, Kondakçi e Lulo dhe të këngëtarëve sarandiotë Brinja, Hasani e Barzuka. Ky koncert ishte i radhës në eventet artistike të organizuara nga Bashkia Sarandë, për shoqërinin e sezonit veror dhe në kuadër të 100-vjetorit të saj.













































