Dita e dytë e Panairit Kombëtar të Suvenireve, ka nisur me vlerësime për pjesëmarrësit dhe sidomos për më të veçantët. Kjo ceremoni u zhvillua pa zyrtarizëm, por me shumë atmosferë miqësore e nderuese, në bordin e anijes turistike “Louis”. Artizanët pjesëmarrës në edicionin e 9-të Panairit, i ka falenderuar edhe një herë Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Ai u ka shprehur mirënjohje për këtë mënyrë të promovimit të produkteve të suvenireve që ata kanë sjellë nga e gjithë hapësira shqipfolëse, që ndërkohë është edhe një promocion për Sarandën. Duke marrë çertifikatën e pjesëmarrjes apo të vlerësimit special të pavioneve të cilësuara si më të mirat e Panairit, artizanët kanë qenë falenderues për mikpritjen, për organizimin dhe mbështetjen e Panairit nga Bashkia e personalisht nga Kryetari Gurma. Ata shprehën kënaqësi që ky event sivjet u dha mundësinë të shohin dhe shijojnë nga afër ofertën turistike 2021 të Sarandës, e cila, sipas tyre, është përmirësuar dukshëm. Më tej ceremonia e vlerësimeve procedoi me prerjen e tortës së Panairit nga Kryetari Gurma dhe artizane nga Kosova. Një fotografi e përbashkët e bërë në bordin e anijes, me Kryetarin Gurma, me artitanët e Panairit 2021 dhe me stafin organizator të agjencisë AJMMI, do të ishte kujtimi më i bukur i momenteve të lundrimit me anije në Gjirin e Sarandës. Mbrëmja sërish do të japë mundësinë që tryezat e ekspozimit të suvenireve turistike me qasje mjedisore, të vendosura në pjesën më të frekuentuar në shetiitore, të kenë vizitorë e pse jo edhe blerës të tyre.