Nisur nga realiteti i rritjes së fluksit të qarkullimit të automjeteve në sezonin veror, shoqëruar edhe me problematika të tjera, Kryetari I Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma, ka kërkuar forcim të bashkëpunimit mes Bashkisë dhe strukturave të Policisë, posaçërisht asaj rrugore. Këto problematika u vunë në fokus të takimit të tij me Shefin e ri të komisariatit të Policisë në Sarandë, zotin Klodi Kondi, me zotin Mitat Tola, nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Qarkullimit rrugor të Shqipërisë dhe zotin Mehmet Çeli, shef i shërbimit të Qarkullimit Rrugor në Sarandë. “Nuk ka diskutim që Saranda bëhet kryeqytet veror në stinë pushimesh dhe kjo do të thotë që edhe problematikat e një kryeqyteti, të transferohen këtu, ndër të cilat lëvizshmëria, sinjalistika, trafiku, parkimet etj., janë nga më të rëndësishmet, që kërkojnë mirëmenaxhim të përbashkët”, ishte parashtrimi I zotit Gurma. Ai uroi për detyrën Komisarin Klodi Kondi dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi me strukturat policore vendore, do të vijojë të jetë shumë I mirë, ashtu si edhe me Komisarin pararendës, duke ia dalë të jemi në në nivelin e kryerjes së detyrës, siç e kërkon banori dhe pushuesi e vizitori, vendas e i huaj. Takimi ishte shumë konstruktiv dhe me marrje përgjegjësish, duke përcaktuar edhe drejtimet ku gjendja duhet të përmirësohet. Sinjalisitika, ajo vertikale dhe horizontale, u identifikua si një front parësor, që kërkon menaxhim të dyanshëm, për të tejkaluar në kohë edhe disa vështirësi proceduriale. Konkretisht, u ra dakort, që, pasi të vlerësohet situata edhe në terren nga specialistët përkatës, të mund të bëhen ndryshimet e nevojshme në hyrje-daljet nga qyteti I Sarandës, shoqëruar me sistemim të sinjalistikës vertikale në Rrugën Nr. 3, apo për kthimin me dy sense dhe pa parkime, të Rrugës “Studenti” etj. Nga ana e kryebashkiakut Gurma u kërkua bashkëpunim edhe më efikas mes strukturave, për të ofruar zgjidhje që lehtësojnë lëvizhmërinë në segmentin rrugor prej Hotel “Butrinti”- Ksamil, ku Bashkia nuk ka akses ndërhyrjeje, pasi konsiderohet aks nacional. Si një nyje rrugore që kërkon ndërhyrje, u veçua kryqëzimi I Qafëgjashtës, që paraqet problematikë si për këmbësorët edhe për automjetet. Po kështu, u pa i nevojshëm bashkërendimi edhe për zgjidhjen që kërkon parkimi i taksive në rrugën mbi Portin Detar, në kushtet kur hyrja e tyre në port është e përjashtuar. Nga ana e përfaqësuesve të shërbimeve policore, u kërkua marrje më e madhe kompetencash nga ana e Policisë Bashkiake, për mbulim me shërbime policore, deri në aksesin për vënie gjobash në rrugët e brendshme të qytetit në sezon, sipas eksperiencës së Bashkisë së Tiranës. Por kjo, u tha se është e realizueshme përmes një marrëveshjeje të përbashkët mes Bashkisë dhe dikasterit përkatës. Kreu I Bashkisë Gurma nënvizoi se “Saranda dhe Ksamili në dy muajt e pikut të sezonit bëhet Tiranë”. Siç konfirmoi zoti Mitat Tola, ky territor në këtë periudhë do të ketë një mbulim shumë më të mirë me shërbime policore, përfshirë edhe policë të Repartit “Shqiponja” në fundjavë, ndërkohë që prej 1 gushtit do të ketë përforcime edhe nga prania e patrullave policore çeke, e konfirmuar kjo edhe nga takimi një javë më parë I ambasadorit të Republikës së Çekisë në Tiranë, Jaroslav Ludva, me Kryebashkiakun Gurma.