Bashkia e Sarandës dhe Kryetari i saj Adrian Gurma, e kanë në politikat zhvillimore evokimin e traditës në fushën e sporteve dhe kulturës. Vitin e kaluar u hodh një hap i parë me ekspozimin e meorjes historike të klubit të futbollit, në hollin e hyrjes për në stadium. Gjithashtu, me shumë vlerë, për t’i folur e djeshmja të sotmes, ishte takimi i veteranëve të futbollit nga Vlora, Saranda dhe Korfuzi fqinjë.
Sivjet, që është viti i 100-vjetorit të Bashkisë, gjendemi përpara angazhimit që Saranda të bëhet sërish vendi i organizimit të një veprimtarie futbollistike më të gjerë me veteranët e futbollit nga ekipet e mëdha, siç janë: Flamurtari, Tirana, Partizani e Dinamo.
Legjendës së futbollit vlonjat Vasil Ruci, i kthyer në gjenerator të kësaj ideje, i është bashkuar edhe legjenda tjetër: Eqerem Memushaj. Duke njohur gatishmërinë e Prefektit të Qarkut të Vlorës Flamur Mamaj dhe mbështetjen e Kryebashkiakut të Sarandës, Adrian Gurma, ata shkëmbyen mendime e eksperienca të dobishme, për eventin sportiv që do të organizohet së shpejti në Sarandë me legjendarët e futbollit shqiptar.



