Me një ceremoni të thjeshtë e në respektim të masave anticovid, sot u është dhënë tërë nderimi dhe mirënjohja të rënëve për liri. Me këtë rast, në Varrezat e Dëshmorëve, në kodrën më zotëruese mbi Sarandë, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, deputetja Anila Denaj, Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj dhe përfaqësues të organizatës së Veteranëve të LANÇ e të Familjeve të Dëshmorëve etj., vendosën kurora dhe bënë homazhe në varret e Heronjve dhe dëshmorëve të rënë për liri.
Zonja Anila Denaj la një autograf në librin e përshtypjeve të Dhomës Muze.
Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe kryetarja e Komitetit të Veteranëve të LANÇ, Neriman Gjivogli, morën pjesë edhe në ceremoninë nderuese që u organizua nga Njësia Administrative Ksamil, në Lapidarin kushtuar 5 Dëshmorëve, në vendin e quajtur Manastir.