🔹Njoftim Konsultim me Publikun

Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë, në kuadër të “Programit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”, me financim nga Banka Boterore, organizojnë Diskutimin me Publikun për “Projekte të Detajuara për Përmirësimin Urban të Integruar dhe Portën Turistike Sarandë”.

Në këtë kuadër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë, mirëpresin grupet e interesit ditën e martë, më datë 19 Tetor 2021, ora 14:00, në sallën pranë Bashkisë Sarandë.
Takimi do të përqëndrohet në prezantimin nga konsulenca/projektuesi dhe specialistë të FSHZH-së të: “Projekt ide paraprake, udhezime dhe llogaritjet paraprake per projektet e zgjedhura per investim”.

(Takimi do të realizohet në respektim të masave anti-COVID-19) 😷

PËRMBYLLET FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I SHAHUT

Festivali Mbarëkombëtar i Shahut, organizimi më i madh i këtij sporti, i cili u zhvillua në Sarandë, nga data 2 teror – 10 tetor 2021 ka mbërritur në ceremoninë përmbyllëse ditën e djeshme.
Ka qenë një javë e rrallë sportive, që e ktheu Sarandën në kryeqendër të takimit të shahistëve më të shquar nga hapësira mbarëkombëtare: nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Federata Shqiptare e Shahut, si organizatore e këtij eventi, i pari i 30 viteve të fundit, me këtë dimension për shqiptarët e trojeve, ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nga Bashkia e Sarandës.
Sekretarja e Federatës Shqiptare të Shahut, Manjola Pilinci, duke falenderuar, tha se për dy arësye u zgjodh Saranda: për të promovuar ecurinë e jashtëzakonshme të ekipit të shahut “Butrinti” në 20 vitet e fundit dhe së dyti për të promovuar turizmin shqiptar të vjeshtës, nëpërmjet një destinacioni si Saranda.
Për ekipet pjesëmarrëse, mes të cilëve dy nga Saranda, dhe për më të mirët u dhanë çmime dhe kupa. Përveç takimeve në tre nivele, që u zhvilluan në ditët e Festivalit dhe përtej nderimit të fituesve, ky event krijoi vlera dhe mundësi për cilësi të re sportive me seminaret trajnuese që u organizuan për mësimdhënien e shahut në shkollat e Sarandës, si dhe me trajnimet e arbitrave lokalë.
Festivali Mbarëshqiptar i Sarandës në Shah hap mundësi për përfaqësim në nivel më cilësor të shahistëve shqiptarë e të trojeve, në eventet ndërkombëtarë, që janë programuar të zhvillohen së shpejti.

 

APEL QYTETAR

Me keqardhje konstatojmë se në Parkun e ri Publik, të përuruar ditë më parë në Lagjen Kodër të Sarandës, është vënë dorë duke cënuar imazhin dhe mundësitë që ai Park ofron për çlodhje dhe argëtim të qytetarëve e sidomos të fëmijëve.
Ndërsa qeverisja vendore iu përgjigj kërkesës së banorëve për ta vënë atë hapësirë në shërbim të komunitetit, duke gjetur donatorin dhe realizuar urbanizimin e saj, është për të ardhur keq që qytetarë të veçantë i lejojnë vetes dëmtimin e kësaj pasurie të përbashkët.
Ky apel qytetar u dejtohet në radhë të parë atyre, që të ndalin dorën e shkatërrimit, por edhe të gjithë të tjerëve, për të qenë ndalës të asaj dore, apo denoncues për këdo që vepron kundër interesave komunitare.

77-VJETORI I ÇLIRIMIT TË SARANDËS

9 Tetor 2021 shënon 77 vjet nga data e çlirimit të Sarandës dhe për të festuar këtë datë Bashkia e Sarandës ka organizuar disa aktivite në këtë ditë të veçantë.
Ato kanë nisur me homazhe në Lapidarin në Qafë të Gjashtës, që ngrihet në kujtim të betejave për çlirim dhe në nderim të 14 dëshmorëve të rënë në 9 tetorin e 1944, duke vijuar me një kokteil të shtruar me këtë rast, për të risjellë në kujtesë fakte historike mbi luftimet për çlirimin e Sarandës, nga partizanë të Brigadës 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të ndihmuar edhe nga forcat aleate britanike.
Në Sheshin e Limanit u dha një koncert i përgatitur enkas për Ditën e Çlirimit, nga Qendra Kulturore dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve.