NË METOQ E SHELEGAR SUGJERIMET MË KONKRETE PËR INVESTIME E SHËRBIME

Banorët e Metoqit dhe Shelegarit ishin konkretë si në vlerësimin e asaj që ka ndryshuar në jetën e tyre brenda një viti, edhe racionalë e konkretë në kërkimin për planifikim në buxhetin 2022. Në Metoq listuan disa rrugë të brendshme, ku është nevojë të investohet, si: ajo te Burimi, rruga Lëkurësi, rruga e ish-Naftës apo poshtë Postës, U mbajtën shënim dhe në plan prioritar do të vendosen ato që impaktojnë sa më shumë familje dhe banorë. Ndërhyrja për kanal ujitës në 8 parcela, gjithashtu u vlerësua shpenzim i nevojshëm. Ndërsa në Shelegar u kërkua të planifikohet për t’u bërë 170 m rrugë e brendshme. Po kështu do të shikohet mundësia për të ndërhyrë me investime për 90 m rrugë që çon tek banesat në zonën e ish-repartit ushtarak. Takimet në Metq e Shelegar shërbyen edhe për të dhënë zgjidhje praktike për plotësimin e ndriçimit publik, për ndryshimin e orarit të furnizimit me ujë etj. Dëgjimi i zërit të banorëve ishte i dobishëm edhe për shpejtimin e studimit dhe urbanizimit të zonave informale, për kanalizimet e ujërave të ndotura, për saktësime të zonave kadastrale dhe për eliminimin e bashkëpronësisë, për azhurnimet e nevojshme me ASHK etj., dhe për të lobuar në zgjidhje përfundimtare me energjinë elektrike. Për mjedis të pastër u shprehën të interesuar e të angazhuar edhe vetë banorët. Ata kërkuan më shumë kosha mbetjesh dhe përgjegjshmëri të rritur nga operatori i pastrimit. Ndërkohë wë nga Bashkia u kërkua ndërgjegjësim dhe bashkëpunim për menaxhimin e plehërave, siç do të ofrohet edhe shtrirja e punës së njësisë së pastrimit në mënyrë kapilare në gjithë territorin. Kryebashkiaku Adrian Gurma u tha banorëve në Metoq e Shelegar se “ato që kemi bërë nuk ishin maksimumi ynë, edhe se 2020-a ishte vit i pandemisë”, ndërkohë që i siguroi se 2022 do të jetë vit investimesh dhe shërbimesh këtu.

QË ÇUKA TË BËHET GATI TË PRESË TURISTË

 Në takim me banorë të Çukës Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se qëllimi është që fondi i menduar për këtë fshat të përdoret në drejtimin e duhur dhe jo ku mund të mendojnë zyrtarët. Sërish theksi është vënë tek kërkesa për të ndryshuar situata me plehrat dhe tek zgjidhja për të nxjerrë jashtë fshatit lopët. Banorët kërkuan të investohet për një depo uji dhe të shtrohet rrjeti shpërndarës, që të garantohet furnizimin me ujë të pijshëm. Po kështu, u kërkua të përmirësohet situata me ndriçimin publik në fshat dhe u sugjerua të investohet për tualete në zonën ku banon komuniteti rom dhe për murin rrethues të varrezave të fshatit e të caktohet një roje atje. Përfundimi i kanalit ujitës, ishte një tjetër propozim i vlefshëm për ujitjen e tokave. Me marrjen në konsideratë të këtyre propozimeve dhe planifikimin e tyre për projektbuxhetin 2022, të shoqëruara edhe me marrje përgjegjësish nga banorët në Çukë, ajo bëhet lagje e Sarandës edhe në kuptim të nivelit të jetesës. U premtua se në nivele më të larta do të vihet në rrugën e zgjidhjes problemi i azhurnimit të tokave e të pronave të Çukës, si dhe rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me energji elektrike. U ofruan mundësi edhe për të lehtësuar punime restauruese në banesa, përmes një autorizimi tip që do të nisë të jepet e monitorohet zbatimi nga Bashkia. Me investimet e vitit të ardhshëm, Çukës i hapen mundësi që të bëhet gati të presë turistë brenda një ose dy viteve të ardhshëm.

SHTËPIA QË NXIT KREATIVITETIN DHE SOCIALIZIMIN MES BANORËVE TË VET

Vitet e fundit Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” është bërë një qendër sociale që shkon përtej detyrës për mirërritje dhe edukim të banorëve të vet. Fundjavat sidomos, kur ngarkesa mësimore është më e ulët për fëmijët, stafi i edukatoreve kujdesen edhe për të nxitur frymën e krijimit mes fëmijëve. Këtë tregojnë edhe punimet e realizuara në vizatime, në pikturë apo aplikacione të ndryshme të bëra me materiale të riciklueshme. Të hjithë këto punë, të bëra md frymëzim, fantazi e dashuri, ekspozohen në mjediset e institucionit dhe fëmijët janë përfshirë në një garë të bukur për të zhvilluar hobet dhe aftësitë e tyre krijuese.

NGA ZONAT PERIFERIKE TË SARANDËS NIS BASHKËBISEDIMI PËR PRIORITETET 2022

Nga zonat e banuara në dy skaje të qytetit të Sarandës, ka nisur marrja e sugjerimeve për projektbuxhetin 2022. Ekipi i Bashkisë, i kryesuar nga Kryebashkiaku Adrian Gurma dhe me prani të kryetarit të Këshillit Bashkiak Asaf Stroka, ishin në bashkëbisedim të hapur e të thjeshtë me banorë të “Baba Rexhepit” dhe Lugut të Dardhës.
Banorët vlerësuan atë çfarë qeverisja vendore ka bërë në zonat e tyre të banimit, si: zgjidhjen për problematikat e trojeve, rritjen e koefiçientit të ndërtimit, përmirësimet në infrastrukturë etj. Nga banorët u kërkua që të ndërhyhet me investime të vogla e të përballueshme nga buxheti i Bashkisë, për shtimin e orëve të furnizimit me ujë të pishëm, për kanalizimin e ujërave të ndotura, për zëvendësim të llampave të ndriçimit publik.
Me thekse të reja u kërkua tolerancë zero ndaj ndotësve të mjedisit. Bashkiakët morën përsipër zgjerimin e hartës së vendosjes së kontenjerëve dhe shtimin e tërheqjes së mbetjeve urbane nga operatori i pastrimit, ndërkohë që nga banorët dhe bizneset në këto territore u kërkua qasje e re qytetare në nxjerrjen e mbetjeve dhe hedhjen e tyre në kontenjer. Po kështu, u kërkua të bëhet zgjedhja përfundimtare: o turizëm, o bagëtinë.
Në këto takime u sigurua se pranvera e vitit të ardhshëm do të vijë me zgjidhje përfundimtare për ujin e pijshëm, nëpërmjet projektit me KFW dhe vënies në punë të depos së Lugut të Dardhës, si dhe do të funksionojnë lejet tip për gropat septike etj.
Me përshirjen e një pjese të mirë të këtyre nevojave në buxhetin e vitit 2022, do të përmirësohet cilësia e jetës së këtyre banorëve, duke krijuar kushte efhe për të pritur turistë. Ndodhja e tyre në skaje të territorit të
Bashkisë, nuk ka bërë që ata të jenë në skaj të vëmendjes.