HIDHET HAPI I PARË PËR TURIZËM TË INTEGRUAR SARANDË-FINIQ

Bashkia e Sarandës dhe ajo e Finiqit kanë vendosur të bëhen bashkë këtë verë, duke bashkuar ofertën turistike, të rrisin atraksionin dhe të rrisin ekonominë lokale në shërbim të turizmit. Kjo është zyrtarizuar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, në mjediset e Bashkisë së Finiqit. Kryetari i kësaj Bashkie, Kristo Kiço e vlerësoi këtë si një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit me një Bashki si e Sarandës, me profil të qartë turistik, me kapacitete e eksperiencë të dobishme menaxheriale në turizëm. Nga ana e vet Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, tha se thelbi i këtij bashkëpunimi është që të kapërcehen si kufijtë sezonalë dhe ata territorialë dhe të japim të parët modelin e funksionimit të turizmit të integruar. Pasi është lexuar teksti i Memorandumit të Bashkëpunimit, në prani të stafeve të ngushta të dy Bashkive, të drejtorive respektive të Turizmit dhe mediave, është bërë nënshkrimi i dokumentit zyrtar për turizëm të integruar. Titullarët Kristo Kiço e Adrian Gurma iu përgjigjën interesit të gazetarëve për mënyrën e funksionimit të bashkëpunimit, për fazat nëpër të cilat ai do të ecë, për hapësirën që kanë bizneset në këtë proces, për përfshirjen në bashkëpunim edhe të Bashkive të tjera jugore fqinje, brenda e jashtë vendit etj. Ceremonia e nënshkrinit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Bashkisë së Finiqit dhe Sarandës, u mbyll me një guidë në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Finiqit. Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy Bashkive, pritet t’i hapë rrugën një bashkëpunimi të orientuar dhe në fusha të përcaktuara mes dy njësive të qeverisjes vendore. Stafet e specialistëve në fushë të turizmit nga të dy Bashkitë, në javët në vazhdim do të përcaktojnë më specifikisht modalitetet dhe do të përpunojnë detajet e platformës, për të operuar si një njësi e vetme e komplementare qysh këtë verë. Fjala është për marrje përgjegjësish dhe për bashkim vullnetesh e kapacitetesh institucionale, që Saranda dhe Finiqi t’i ofrohen turistit si një ofertë e vetme, e diversifikuar dhe e pasuruar. Ky është një hap i parë dhe në vijim do të ftohen edhe Bashki të tjera, si: Delvina, Konispoli, Himara, Gjirokastra e Përmeti, që t’i bashkohen Memorandumit dhe idesë për të implementuar dhe nxitur zhvillimin e turizmit të integruar. Në një fazë të mëvonshme, në varësi të nivelit të unifikimit në shkallë të rajonit jugor, kjo ide do të gjejë partnerë edhe tek fqinjët tanë jashtë vendit, siç janë Korfuzi, Janina e Igumenica, ide kjo që u parashtrua dhe në parim u pranua edhe gjatë vizitës së delegacionit të bashkiakëve nga Korfuzi, fundjavën e kaluar.

 

TAKIME TË VOGLA, PËR NJË SEZON TË SUKSESSHËM NË KSAMIL

Me kalimin e javëve, shpeshtohen edhe tryezat apo takimet e vogla me aktorë të turizmit. Një i tillë është zhvilluar me biznese të Ksamilit. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma ka drejtuar bisedën tek situata e punëve për përgatitjen e sezonit të ri turistik, duke nisur nga njësitë akomoduese, vilat e shtëpitë e dyta dhe sidomos tek nevoja për të rritur standartin e shërbimeve turistike, paralelisht me shërbimet publike që ofron Bashkia apo Njësia Administrative, me fokus shërbimin e pastrimit. U inspektua edhe puna që po bëhet në ato stacione plazhit që janë marrë në administrim nga sipërmarrësit. ka funksionuar në Ksamil këto ditë. U diskutua sidomos për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, me fokus pastrimin e territorit. Në fokus ishin edhe stacionet e plazhit, në disa prej të cilëve u pa nga afër puna që po bëhet nga sipërmarrësit, pas aplikimit. Kryebashkiaku Gurma ka kontaktuar edhe disa familje të huajsh, që janë duke pushuar tani në Ksamil, ndër të cilat një familje nga Polonia dhe një tjetër me origjinë nga Vjetnami, por me banim në Zvicër etj.

 

ME MIQ NGA KORFUZI FQINJË, AFRIM MIDIS DY BRIGJEVE

Pas gati dy vitesh izolim për shkak të pandemisë, është realizuar takimi i parë mes drejtuesve të Bashkive në Sarandës dhe Korfuzit. Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma,i shoqëruar nga Nënkryetari i Bashkisë Romeo Çakuli,ka pritur homologen e vet nga ishulli i Korfuzit, zonjën Meropi Idhreu dhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak nga Bashkia fqinje, zotin Dhimitris Metallinos. Mes tyre u shkëmbyen mendime për profilin e përbashkët turistik, për prurjen turistike në rritje, për fashën e turistëve, kapacitetet akomoduese dhe investimet në infrastrukturë. Dy homologët thanë se Saranda dhe Korfuzi mund e duhet të përfitojnë nga turizmi i integruar, në kontekstin që çdo turist që vjen në Korfuz të vijë edhe në Sarandë e anasjelltas, duke diversifikuar ofertat respektive. Ata folën konkretisht për ndryshimet në infrastrukturë dhe se si funksionojnë vendgrumbullimet e mbetjeve urbane në të dy qytetet. Një moment i veçantë i bisedës mes tyre, ishte ai që lidhet me mungesën e burimeve njerëzore në shërbim të turizmit, duke u bashkuar në idenë se shkollat profesionale që funksionojnë në të dy qytetet, shtojnë shanset që të faktorizohen më shumë, nëse shkëmbejnë eksperienca mes tyre. Me shumë bujari u prit kërkesa e zotit Gurma për të patur asistencën e Korfuzit fqinjë në realizimin e projektit që Saranda të ketë së shpejti Orkestrën Frymore të Fëmijëve, si dhe për të garantuar vijimësi në projektin futbollistik për t’u takuar në Sarandë çdo vit “Legjendat e Futbollit”,, përfshirë ekipin e veteranëve korfiatë, të penguar vitin e kaluar nga pandemia. Bashkiakët e dy qyteteve fqinie, me histori binjakëzimi rreth 30-vjeçare, shprehën vullnet të plotë për bashkëpunim të ngushtë, në të gjitha fushat, duke shpeshtuar kontaktet dhe komunikimin e konkretizuar me projekte dhe realizime.

 

TRYEZË PËR TURIZMIN ME MINISTREN E TURIZMIT

Është tamam koha për ta bërë kryefjalë turizmin, pasi ky pritet të jetë viti kur sezoni do të hapet më herët dhe me gjasë do të shtrihet më gjatë në kohë. Dy prej hallkave më të rëndësishme për të ofruar turizëm cilësor më 2022, u vunë në fokus të tryezës që u mbajt më 6 shkurt, me prani të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Theksi më i parë u vu tek pastrimi. Kryebashkiaku Adrian Gurma vlerësoi punën e bërë në kuadër të task-forcës për patrimin. Ai nënvizoi se 90% e hot-spoteve me ndotje, tashmë nuk ekzistojnë më në këtë territor, ndërkohë që procesi vazhdon, i mbështetur edhe nga një buxhet 22% më i madh. Puna e bërë ka eliminuar vatrat me ndotje, ndërkohë që ka rritur ndërgjegjësimin në komunitet për të mos rikrijuar të tilla. Përfshirjen në projektin gjerman të diferencimit të mbetjeve në burim, kreu i Bashkisë Gurma e ka vlerësuar si avantazh të madh, ndërkohë që tha se me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit është duke u finalizuar marrëveshja për dublimin e shërbimit të pastrimit. Të lidhur shumë ngushtë me suksesin e e sezonit 2021, kreu i Bashkisë Gurma ka parë investimet lokale e ato strategjike të qeverisë qendrore, si dhe faktin që në sezonin 2021 nuk mbeti plazh i pakontratuar. Ndërkaq, si shumë të rëndësishme ai ka quajtur filozofinë e Bashkisë, sipas së cilës: sezoni i ri nis atje ku mbaron paraardhësi. Edhe dëgjesat publike për buxhetin 2022, u shpreh kryebashkiaku Gurma, kanë nisur nga takimi me biznesin turistik, i cili tërë kohën trajtohet si partner me qeverisjen. Nga ana tjetër, ai i mëshoi nevojës dhe prirjes për turizëm të integruar me bashkitë fqinje, me të cilat do të shkohet tek nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit dhe ndërveprimit. Thekse të reja ka vënë Ministrja Kumbaro për pastrimin, për rregullimin me kritere të forta e minitorim të funksionimit të stacioneve të plazhit, për turizmin pa ndotje akustike dhe për konceptin e gjerë të funksionimit të hartës turistike. Ajo foli për hartëzimin e plazheve me ndarje për çdo Bashki, për zbatim pa lëshim të kritereve dhe për kontrata plazhesh vetëm për 1 vit. Ndërkohë, numri një i turizmit shqiptar ishte e prerë kur tha se pas 1 majit për çdo hotel që ka ngritur beach bare pa leje, ato do të prishen. “Jemi të prirur-u shpreh Kumbaro- jo të pengojmë, por të nxisim biznesin, në pajtim me ligjin”. Duke cilësuar bizneset si ndotësit më të mëdhenj, Ministrja Kumbaro tha se ky sezon do të ketë rregulla, ligje dhe ndëshkime dhe bëri publik sw Saranda përfshihet në 4 bashkitë, për të cilat do të kontratohet një operator pastrimi vetëm për bizneset dhe vetëm një herë në ditë tek ato do kalojë makina e tërheqjes së mbetjeve të ditës. Sa u takon zhurmave që gjenerojnë diskot, lokaket dhe anijet turistike, zonja Kumbaro tha se do të lejohen të punojnë pasi të kenë siguruar izolimin akustik, pasi 10% e turistëve duan muzikë pa limit dhe injorohen interesat e 90% të tjerëve. “Të hapim mendjen për pastrimin dhe për informacionin”, ishte apeli i Ministres Kumbaro, e cila kërkoi si nga Bashkia edhe nga hoteleria, që informacionin turistik për atë që ndodh rreth tyre, ta vënë në përdorim për të dalë nga lokacioni e nga harta e tyre turistike, për të ofruar sa më shumë atraksion e variacion për çdo fashë turistësh. “Saranda nuk është vetëm Saranda”, tha Kumbaro. Për të nxitur zhvillimet turistike të nesërme Ministrja Kumbaro solli në vëmendje thirrjen e hapur për agroturizëm, për bujtina e artizanate, si dhe për bonusin për restaurim të monumenteve të kulturës, apo thirrjen e Ministrisë së Turizmit për projekte për turizmin. Deputetja Anila Denaj vlerësoi se është shumë mirë që tryeza mblidhet tani, pasi ndihmon dhe nxit në kohë që turizmi ciësor të perceptohet në afate dhe në shërbime. Nga ana e vet Arben Çipa, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit, dha disa projeksione për sezonin 2022, me pritshmëri për shtimin e ardhjeve nga toka, që bën më të mprehtë sfidën e manaxhimit të qarkullimit e prandaj ka sugjeruar suport të shtuar të këtij shërbimi, të paktën në dy muajt e pikut. Po kështu, sipas tij, pritet prani e shtuar e turistëve italianë. Ndërkaq, ai kërkoi që administratorët e kontratuar të stacioneve të plazhit, të lejohen të hedhin rërë, tani dhe gjatë sezonit, për t’i mbajtur ato në standart sa më të mirë. Duke u shprehur në mbështetje të rregullit, Çipa tha se “me anarkinë u mësuam, le të kthehemi tek rregulli”. Me këtë apel për biznesin turistik, ai kërkoi që procesi i çertifikimit të shtrihet për të gjitha anijet e shërbimit turistik. Nga disa hotelierë e operatorë të pranishëm u adresuan problematika të veçanta dhe morën përgjigje pikëpyetjet e tyre.