“BUTRINTI”: NË FUSHËN E VET NJË TJETËR FITORE TË RËNDËSISHME

Me fitoren e thellë 4:0 është mbyllur përballja e radhës, që “Butrinti” e kishte me Maliqin përballë, në fushën e vet. Golashënuesit e kësaj fitoreje bimdëse ishin Hyska, Onuh që realizoi një dopietë dhe Jaupaj. U sigurua kështu një trepikësh tjetër shumë i nevojshëm në luftën për të qëndruar në Kategorinë e Parë, kur sezoni ka rregjistruar javën e 23-të. Me fitoren e thellë të 13 marsit, “Butrinti” e sheh veten në vendin e 10-të me 27 pikë të grumbulluara, ndërkohë që përgatitet fort për transfertën kundër “Tërbunit”.

RICIKLIMI I MBETJEVE NË BURIM, NJË MODEL SUKSESI NË BASHKËPUNIMIN ME GIZ

Eksperienca e fituar gjatë vitit të kaluar, me ndarjen në burim të mbetjeve të riciklueshme dhe sfida e zgjerimit të saj edhe në zona të tjera të Bashkisë së Sarandës, ishin fokusi i një bashkëbisedimi mes Kryebashkiakut Adrian Gurma dhe përfaqësuesve të GIZ Albania. Sezoni veror është përpara dhe nisma për mjedis të pastër mbetet prioritare në gjithë përgatitjet e Sarandës si destinacion turistik. Puna e nisur në qytet, me ndarjen e mbetjeve në burim, procesimi i tyre në Qendrën e ngritur në Volloder dhe nisja e shitjes kompanive ricikluese, u vlerësuan si hapa të rëndësishëm në kuadër të projektit për menaxhimin e modernizuar të mbetjeve të ngurta. Duke u konsideruar bashkëpunimi i deritanishëm si një model suksesi, u tha se zgjerimi i tij dhe shtrirja edhe në zona e territore të tjera të Bashkisë Sarandë, shoqëruar me fushata ndërgjegjësimi për qytetarët, do të jenë ndër veprimtaritë kryesore mëtejshëm në këtë rrugë Zgjerimi i modelit të suskesshëm, edhe në zona të tjera brenda territorit të bashkisë si edhe fushatat e ndërgjegjësimit dhe edukimit do të jenë aktivitetet kryesore në muajt e ardhshëm.

NË DITËN E GRUAS DHE ME NJË AUTORE GRUA, ÇELET EKSPOZITA E PARË E VITIT NË GALERINË E SARANDËS

Është zgjedhur pikërisht 8 Marsi, edhe për të shënuar nisjen e veprimtarisë artistike të vitit 2022 në Galerinë “Art-Saranda”. Ekspozita e parë për këtë vit u hap pikërisht në Ditën e Gruas dhe me një autore grua. Ajo është Afërdita Murtaj, me originë nga Markati i Sarandës, me CV artistike të admirueshme në fushën e artit pamor, e specializuar në Kosovë e në Itali dhe me një profil të vetin në pikturë. Edhe vizitoret e para të ekspzoitës së saj, ishin kryesisht gra e vajza, në Ditën e tyre të shënuar e të dedikuar. Bashkë me to, në përurim morën pjesë krijues të njohur të Sarandës, dashamirës të artit etj. Duke i dhuruar autores së ekspozitës karafilin e 8 Marsit, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma e ka cilësuar atë dallandyshen e parë të pranverës artistike që Saranda çel, me punimet në pikturë të Afërdita Murtajt. Në fjalën e vet, ai i ka mëshuar anës sociale të 8 Marsit, si ditë që më së shumti festohet, por ka të pandarë nga kjo edhe anën e saj sociale, për më shumë të drejta e barazi gjinore, për një rol e akses në rritje të saj në shoqëri dhe për të ndalur dhunën ndaj grave dhe vajzave. “Ku ka më mirë se sa të vijë ndërgjegjësimi përmes artit- u shpreh ndër të tjera Kryetari Adrian Gurma- për të kuptuar e për t’u ndërgjegjësuar që të kemi gra dhe vajza pjesëmarrëse në shoqëri, pasi ato janë bërthama e familjes dhe e shoqërisë”. Autorja Afërdita Murtaj u shpreh mjaft falenderuese për mundësinë që iu dha në vendin e origjinës së prindërve të vet, duke thënë se ndjehej e plotëëuar për të qenë në këtë ditë në Sarandë. “Arti në Sarandë ka ecur mjaft- tha ajo- dhe mendova se është momenti i duhur për të qenë këtu”. Të pranishmit bënë pastaj një guidë në 33 punët e ekspozuara të autores Afërdita Murtaj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 prill.

 

NË SHESHIN E QYTETIT: NJË KARAFIL, NJË MESAZH, SHUMË KËNGË PËR 8 MARS

Ky 8 Mars është përcjellë me një gjest me simbolikë të thjeshtë, por me mesazh të madh: për çdo vajzë dhe grua kalimtare të rastit nga qendra e qytetit të Sarandës, zonja të Bashkisë së këtij qyteti dhuruan një karafil, mbështjellë me logon e stampuar të Bashkixsë dhe me urimin e shkruar “Gëzuar 8 Marsin!”. Artistët e Qendrës Kulturore dhe ata të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, dhuruan atmosferë të gëzueshme këngësh për Nënat, motrat dhe vajzat, në një skenë në natyrë, dekori i së cilës ishte një baner i madh me simbolikë lulesh dhe zemrash, me dedikim 8 Marsin. Me dhurimin e një karafili, si urim dhe në shenjë vlerësimi, dhënë për çdo zonjë e zonjushë nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, i shoqëruar nga Nënkryetari Romeo Çakuli, ka nisur dita e punës më 8 Mars edhe në administratën e këtij institucioni. Gratë dhe vajzat e sektorit të gjelbërimit, ato që me punën e tyre i japin gjithë vitin lule qytetit, janë gjetur sot në vendin e punës nga Kryebashkiaku Adrian Gurma e Nënkryetari Romeo Çakuli dhe kanë marrë nga një karafil, shoqëruar me urime. Po kështu, stafi i edukatoreve të institucionit të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” dhe stafi i zonjave që shërbejnë në konviktin shkollor në varësi të Bashkisë. Bashkë me karafilin me fjongon dhe logon e Bashkisë, tek çdo punonjëse grua apo vajzë, si dhe tek publiku i gjerë, shkoi mesazhi i ndërgjegjësimit për të parandaluar dhe dënuar dhunën me bazë gjinore, si dhe masazhi për më shumë vlerësim dhe besim ndaj gruas në familje dhe në shoqëri.