KRYEBASHKIAKU GURMA NË PANELIN E KONGRESIT, DEDIKUAR ENERGJISË, MJEDISIT DHE TRANSPORTIT

Përveçse i pranishëm në punimet e Kongresit të 9 prillit të PS, Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma ishte pjesëmarrës aktiv në panelin dedikuar energjisë, mjedisit dhe transportit. Në këtë panel, që pati për moderatore Ministret Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro, Kreu i Bashkisë Gurma, u fokusua në përcjelljen e përvojës së fituar gjatë punës gati njëvjeçare, të bërë në kuadër të projektit të riciklimit. Ai tha se Bashkia e Sarandës ndjehet e privilegjuar nga përfshirja në këtë program të qeverisë gjermane, nëpërmjet projektit të GIZ, që ka filluar në 17 qershor dhe është në vijim. Ai tregoi se si projekti “Menaxhimi i Modernizuar i Mbetjeve të Ngurta dhe Ekonomia Ricikluese”, i financuar nga GIZ Albania, ka mundësuar grumbullimin e Mbetjeve të Riciklueshme në qytet sipas modelit derë më derë dhe ndarjen në burim në pjesën më të madhe të marketeve më të mëdha për mbetjet e kartonit dhe në rreth 15 bar-restorante përgjatë shëtitores së qytetit dhe dërgimin e tyre në Qendrën e Grumbullimit në Vollider. Për vitin e parë (2021) në qendër u grumbullua një sasi prej rreth 20 tonë karton i valëzuar dhe rreth 1-2 ton plastikë (PET), ku kartoni u shit totalisht në kompaninë e riciklimit. Për vitin 2022, Gurma tha se Bashkia do t’ia kalojë grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme kompanisë së pastrimit të qytetit dhe menaxhimin e qendrës në Volloder do ta kryejë vetë. Për vitin 2022 u tha se propozohet të futën në skemë edhe të gjitha institucionet arsimore të Bashkisë së Sarandës.

 

SARANDA: FRESKIM BINJAKËZIMIT ME OPATINË NË KROACI

Tani, që pandemia duket të jetë larguar në krejt rajonin dhe stina turistike është në prag, është gjetur kjo si kohë e dobishme për të zgjuar bashkëpunimin e ngrirë. Një ftesë e ardhur nga z. Fernando Kirigin, kryetar i Bashkisë së Opatisë në Kroaci, e binjakëzuar 5 vjet më parë me Bashkinë e Sarandës, ka bërë kryebashkiakun e Sarandës Adrian Gurma, që, në krye të një delegacioni, të realizojë një vizitë njohëse në Opati, me qëllim rijetëzimin e këtyre marrëdhënieve. Në mjediset e Bashkisë së Opatisë u realizua pritja zyrtare e delegacionit nga Saranda, ku homologët Kirigin e Gurma shprehën vullnet për të zhvilluar më tej shkëmbimet e nisura 10 vjet më parë mes Opatisë dhe Sarandës, të inicuara nga komuniteti i shqiptarëve të integruar në qytetin kroat. Në pritjen zyrtare që iu rezervua delegacionit nga Bashkia e Sarandës, ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, deputetja shqiptare e Parlamentit kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në rajonin e Rijekës, Bashkim Enesi, kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, Gani Xharrahi etj. Kryetari Kirigin i dhuroi Kryebashkiakut Gurma lulen e Kameljas, që është simbol i qytetit të Opatisë, ndërkohë që fotoja e Portës Hyrëse të Onhezmit antik, të stampuar në gur vullkanik , emblema “100 vjet Bashki e Sarandës”dhe manuali i ekspozitës në pikturë “Artistët për Gratë”, ishin suveniret e Kryebashkiakut të Sarandës për homologun e Opatisë. Me mjaft interes për zgjerimin e spektrit të bashkëpunimit mes Sarandës dhe Opatisë, ishte vizita e delegacionit nga Saranda në Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit dhe Mikpritjes, me më shumë se 60 vjet histori, i vetmi me profil të ngushtë turizmin dhe kërkimin shkencor në këtë fushë në Kroaci. Pjesë e agjendës së aktivitetit të delegacionit ngaSaranda në Opati, ishte edhe shetitja panoramike me anije turistike përreth Rivierës Opatija. Shumë interesante ishte vizita në Parkun Natyror “Uçka” dhe në Qendrën Muzeale Digitale dedikuar pasurisë së florës dhe faunës së këtij Parku, një aset mjaft i rëndësishëm për turizmin vendas, i shtuar një vit më parë. Me shumë vlerë për njohjen e thelluar të historisë dhe të sotmes së Opatisë, ishte guida e qytetit që iu ofrua delegacionit nga Saranda, me ciceron një historian shqiptar rezident në këtë qytet të Kroacisë. Kryetari Gurma e ftoi homologun e vet kroat Kirigin, të vizitojë Sarandën në një kohë të përshtatshme për të, me dëshirën dhe qëllimin e përbashkët që të programohet intensifikimi i shkëmbimit mes dy Bashkive në fushën e artit, të eventeve lokale, të gastronomisë, mes shkollave profesionale të turizmit, fakulteteve respektive në të dy qytetet etj.

 

E DIELA E PARË PA MAKINA

3 prilli ishte e para ditë e diel, gjatë së cilës funksionoi vendosja e kufizimit në qarkullimin me makinë në disa prej rrugëve të brendshme të qytetit. Motiv i parë ishte i diktuar nga kriza botërore e karburanteve, ndërsa efektet ishin të disafishta. Jo pak makina u mbajtën në parkim, pasi u kuptua se nuk është arësye të nxjerrësh makinën për të shkuar për kafe. Disa nga rrugët kryesore u përdorën vetëm nga këmbësorë dhe kjo u përkthye në mjedis me shumë më pak ndotje, në më pak para të harxhuara për karburant, në mungesë të nevojës për të kërkuar një parkim. Të gjitha këto u panë dhe u çmuan si të mira vetiake dhe publike, që na erdhën vetëm nga një ditë e vetme dhe e para pa makinë.

KRIJUES, LEXUES DHE INTERPRETUES TË VEGJËL, SË BASHKU MË 2 PRILL

Dita e Librit për Fëmijë ka nisur me sjelljen e një libri dhe marrjen e një tjetri nga shkollarët e Sarandës në bibliotekën e hapur wë gjendet përpara Bashkisë së Sarandës. Pas kësaj nxënës, mësues dhe krijues të letërsisë për fëmijë janë takuar së bashku në sallën e Bibliotekës së Qytetit të Sarandës. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe përgjegjësja e Zyrës Vendore Arsimore, Majlinda Mavro, folën për rëndësinë e krijimit për fëmijë dhe përse libri duhet të jetë miku më i mirë për çdo fëmijë. Krijuesi Hekuran Halili tha se shumë nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë i ka bërë të tillë letërsia që ata kanë shkruar për fëmijë. Nën drejtimin e regjisorit Anastas Nika, recituesit pjesëmarrës në aktivitet, që përfaqësonin shkollat “9 Tetori” e “A.Sheme” të Sarandës dhe shkollën e Gjashtës e Çukës, sollën fragmente proze, poezi, fabula, përralla etj., të shkruara posaçërisht për ata nga shkrimtarë e poetë kombëtarë, lokalë e të huaj, si dhe krijime të tyre, për këtë ditë, dedikuar letërsisë për fëmijë. Violinistët e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, nën drejtimin e Genti Xuxit, krijuan sfondin muzikor për këtë aktivitet.