GJIMNAZI “H.TAHSINI”, SPIKAT EDHE SI QENDËR KOMUNITARE

Përfshirja e shkollës së mesme “Hasan Tahsini” në projektin “Shkolla-Qendër Komunitare”, ka bërë që ajo të hapë portat e saj dhe të mendimit, jo vetëm për nxënës e mësues, por edhe për prindër e qytetarë të interesuar. Me shumë audiencë ishte dita kur fokusi i diskutimit ishte Ushqimi dhe Shëndeti. Nxënës të vitit të parë të këtij gjimnazi bënë një prezantim dhe interpretim bindës të gjetjeve më të fundit shkencore mbi ndikimin e ushqimit dhe ushqyerjes në shëndet, e plotësuar kjo me sondazhe të organizuara me bashkëmoshatarë të tyre. Mesazhe të dobishme u dhanë përmes video historisë së një vajze që rrëfeu në vetë të parë përpjekjen torturuese për të kaluar nga një trup obez në kaheksi (refuzim të ushqyerjes). Ky panel akademik në seksionin e biologjisë, do të ishte rasti kur Kryebashkiaku Adrian Gurma, i ftuar në këtë panel, rimori rolin e mjekut. Ai dha kontribut të posaçëm në plotësimin e informacionit shkencor mbi temën Ushqimi dhe Shëndeti. Duke falenderuar që pas 3 vitesh në krye të Bashkisë, iu dha rasti t’i kthehet profesionit që i ka kushtuar gjysmën e jetës, mjeku Adrian Gurma tha se nxënësit e surprizuan pozitivisht, pasi mund t’i merrje si studentë të vitit të parë të mjeksisë. Këshilla dhe apeli i tij për të rinjtë ishte ta duan trupin e tyre ashtu siç është e kjo arrihet duke u ushqyer shëndetshëm. I mrekulluar nga niveli i organizimit të prezantimit nga nxënës dhe nga stafi pedagogjik, Kryetari Gurma mori shkas për të thënë se kjo i shton atij detyrimin në cilësinë e qytetarit të parë, për më shumë vëmendje dhe mbështetje për cilësinë e edukimit në shkolla. Një kohë më vete ai i kushtoi vizitës së ekspozitës së nxënësve me materiale të ricikluar, ndërkohë që përgëzoi grupin e nxënësve dhe mësuesen që udhëhoqi realizimin e apkikacionit me pamje qilimi me motive shqiptare, në hyrje të shkollës “Hasan Tahsini”, një emër i madh i arsimit për Sarandën, me histori 62-vjeçare.

 

“NDËRKOMBËTARËT” VIJNË NË SARANDË ME KARIKATURËN E MJESHTRIT KAPEXHIU

Galeria “Art-Saranda”, në zinxhirin e eventeve të saj 2022, ka ofruar një ekspozitë të një lloji të veçantë. Mjeshtri Bujar Kapexhiu, me 111 karikaturat politike të penelit të vet goditës, ka sjellë në Sarandë ekspozitën e titulluar “Ndërkombëtarët”. Duke falenderuar Mjeshtrin Kapexhiu për përgjigjen për të tretën herë ndaj ftesës që i bën Saranda, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma tha se ky artist ka meritën që jo pak njerëz e sidomos brezi i ri, ta njohë dhe identifikojë Sarandën me sheshet e xhirimit të filmit të tij “Dy herë mat”, se ato janë bërë atraksion më vete për ata që vijnë e vizitojnë këtë qytet. “Saranda nuk ka nevojë për marketing- u shpreh Kryebashkiaku Gurma-por njerëz të tillë na bpjnë nder, edhe se ky është një qytet që e do artin dhe i nderon artistët dhe ne vetëm reflektojmë këtë dashuri, duke mundësuar praninë e tyre këtu”. Kritiku i artit Josif Papagjoni ka treguar për Bujar Kapexhiun si një artist shumëdimensional, që krijoi një fytyrë imponuese në kinematografinë shqiptare, më tej si një kinoregjisor me gjurmë të thella në filmin e animuar, ai që i dha fizionominë e vet estradës së varietesë në Shqipëri dhe prej dekadash autor i spikatur i karikaturës politike, me të cilën vjen edhe në Sarandë. Me nostalgjinë dhe mirënjohjen e një studenti për pedagogun e mirë, Prof. Papagjoni tha se i vjen mirë për atë që është Bujar Kapexhiu, një personalitet i vlerësuar me meritë “Nderi Kombit” dhe një artist i dashur e i mirëpritur, edhe për frymën e lirisë së krijimit, kundër skemës. Duke çmuar oraganizime të tilla për artin, artisti Kapexhiu tha se duke ardhur së fundmi i ftuar kaq shpesh në Sarandë, përveç filmit dhe ekspozitës, ka krijuar edhe një lidhje shpirtërore, që e ndjen kur ecën në rrugë, kur shetit në bulevard si Ilo Pinci apo kur hyn në restorant. “Arti të fisnikëron, por edhe ata që e konsumojnë artin, janë njerëz fisnikë e kjo më bën të vij me kçnaqësi te publiku sarandiot”, tha Mjeshtri Kapexhiu. Të pranishmit vizituan ekspozitën e tij në karikaturë, duke marrë ndjesi humori dhe mesazhet shpotitëse që përçohen për klasën politike shqiptare dhe zgjedhësit.

 

18-22 PRILL: JAVA “SARANDA RICIKLON”

Prej 18 prillit Saranda nisi eventin “Java e Riciklimit”. Nga dita e sotme deri më 22 prill, do të ketë zinxhir veprimtarish treguese, promovuese dhe nxitëse për përfshirje në lëvizjen gati njëvjeçare për Riciklim. Megjithë motin e pafavorshëm, sot në qytet dhe në qendra biznesesh janë shpërndarë qindra fletëpalosje dhe materiale me qëllim që të ngremë opinionin, të ndërgjegjësojmë, apelojmë dhe tregojmë se si veprohet për të ndarë mbetjet urbane në burim. Në ditët vijuese të kësaj jave fokusi do të jenë shkollat e Bashkisë Sarandë. Në partneritet me ZVA dhe drejtoritë e shkollave, do të organizohen “orët e gjelbra”, gjatë të cilave do të nxitet fantazia dhe iniciativa e shkollarëve, për të realizuar objekte dhe punë artistike me lëndë të parë materiale të riciklueshme. Në vijim, më 21 e 22 prill, për të shtuar sa më shumë elemente kreativë në punimet e tyre, nxënësit realizues do të asistohen edhe nga një profesor i arteve të bukura. Eventet në kuadër të “Javës së Riciklimit”, kulmojnë më 22 prill, me aktivitetin dedikuar Ditës së Tokës. Ky aktivitet do të përcillet edhe nga zonja Mirela Kumbaro Furrxhi, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Bashkohu edhe ti, në “Javën e Riciklimit” në Sarandë. Përgjatë javës 18-22 prill, bizneset do të nxiten të ndajnë mbetjet e riciklueshme qysh në burim, ndërsa qytetarët për të përdorur koshat e dedikuar, të vendosur përgjatë shetitores.

NJË URIM PËR PASHKËT KATOLIKE, SHUMË ADMIRIM PËR PUNËN QË BËHET NGA MOTRAT ITALIANE

Në vigjilje të Pashkëve Katolike, Kryebashkiaku Adrian Gurma shkoi në Qendrën Sociale “Marcelina”, në qytetin e Sarandës, ku uroi për Pashkë të Gëzuara, Motër Daniela Silvestrinin e bashkëpunëtoret e saj. Ato treguan për atmosferën e festës së Pashkëve që janë duke përgatitur. I gjithë mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm i kësaj Qendre Sociale është impresionues dhe jep modelin e një pune të admirueshme që bëhet, për të realizuar edukim cilësor me fëmijë të moshës parashkollore. Si dëshmi të punës cilësore që bëjnë Motrat italiane dhe stafi, megjithëse modest, janë dhjetëra objekte interesante, realizuar me materiale të ricikluara, veshje karakteristike për vajza e djem, laboratori i materialeve që përdoren në festa, rrobaqepësia, salla multimediale, kopshtet me perime, të mbjella edhe nga vetë fëmijët, biblioteka e pasur etj. Impresionuese dhe me impakt të jashtëzakonshëm në komunitet, është ajo që bëhet nfa k institucion social, për të asistuar 53 fëmijë, nga qyteti i Sarandës, Berdeneshi etj., kryesisht të spektrit autik dhe me zhvillim të prapambetur. Kryetari Gurma u shprehu mbështetjen personale dhe të institucionit të Bashkisë për çuarjen përpara të kësaj pune të mrekullueshme, sipas normave dhe standartit të kulturës italiane të punës. Duke falenderuar Motrat e Qendrës “Marcelina” për punën e veçantë e plot produktivitet që bëjnë. ai i ftoi që, me objektet e realizuara me material të ricikluar, të bëhen pjesë integrale e Javës “Saranda Riciklon” nga 18-23 prill, si dhe të prezantohen me pavionin e tyre në ekspozitat materiale në eventin e çeljen zyrtare të sezonit “Verë 2022”.