JAVA “SARANDA RICIKLON”: VEPRIMTARI TREGUESE, PROMOVUESE DHE NXITËSE

U përmbyll një javë e tërë, që u quajt “Saranda Riciklon”, organizuar në partneritet të ngushtë mes projektit guerman GIZ dhe Bashkisë së Sarandës. Çdo ditë e javës pati veprimtaritë e veta praktike, përmes të cilave u tregua për përfshirjen e bizneseve vendore, shkollarëve dhe qytetarëve lëvizjen për të menaxhuar mbetjet urbane me një qasje të re, që i shërben riciklimit. Në qendra biznesesh u shpërndanë qindra fletëpalosje dhe materiale pronovuese të punës së bërë, për të ndikuar në ngritjen më tej të opinionit dhe ndërgjegjësuar, apeluar e tregojmë se si veprohet praktikisht për të ndarë mbetjet urbane në burim. Në ditët e tjera të javës aktivitetet kryesore u zhvendosën në shkollat e Bashkisë Sarandë. Në partneritet me ZVA dhe me drejtoritë e shkollave, u organizuan “orët e gjelbra”, gjatë të cilave u nxit fantazia dhe iniciativa e shkollarëve, për të realizuar objekte dhe punë artistike me lëndë të parë materiale të riciklueshme. 22 prilli shënoi kulmin e Javës “Saranda Riciklon”, Veprimtaritë praktike nisën me mbjellje fidanash në mjediset shkollore, në kuadër të Ditës së Tokës. Pas kësaj shetitorja u bë vendi i ekspozimit të eksperiencës së grumbulluar në dy vitet që Saranda është e përfshirë në projektin e menaxhimit të modernizuar të mbetjeve të riciklueshme. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, që shoqrohej nga Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe përfaqësues të GIZ. Ata kaluan në tryezat ku ishin ekspozuar objekte të bëra plot fantazi. U përgëzuan nxënësit e shkollave tona 9-vjeçare e të mesme, pasi me objektet e tyre u ndërtua një panair i larmishëm e mjaft domethënës për qasjen e re, të kthyer edhe në fantazi krijuese. Ndërkaq, u tregua konkretisht se si qytetarët e kanë bërë shprehi përdorimin e koshave të dedikuar për plastikën, të vendosur përgjatë shetitores. Në vlerësim të punës së bërë dhe të ekspozimit të saj plot fantazi, Ministrja Kumbaro do të shprehej se pamjet nga shëtitorja e Sarandës ishin “si një praktikë ogurmirë e përqafuar nga banorët”.

 

DITA E TOKËS U SHOQËRUA ME ORGANIZIME PËR MBJELLJE PEMËSH

Nxënës, mësues dhe punonjës të administratës vendore, ishin së bashku në organizimet për të mbjellë fidana të pemëve të reja në Ditën e Tokës. Kështu ndodhi në mjediset e oborreve në shkollat “Adem Sheme”, “9 Tetori”, në shkollën e mesme “Hasan Tahsini”dhe në atë të Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla”. Në këto aksione mori pjesë aktive edhe vetë Kryebashkiaku Adrian Gurma. Gjelbërimi i shtuar në kuadër të kësaj dite simbol, pritet të ketë ndikim në përditshmërinë e nxënësve dhe në qasjen e tyre për të qenë më miqësorë me mjedisin. Ata jo vetëm i mbollën fidanat, por edhe do të kujdesen që ato të bëhen pemë të shëndetshme.

 

SARANDA MERRET MODEL SUKSESI PËR MENAXHININ E MBETJEVE

Ky vlerësim i është adresuar Bashkisë së Sarandës, në një takim me Kryebashkiakët e Shqipërisë, me përfaqësues të Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, si dhe me drejtues e specialistë të GIZ Albania. I pranishëm ishte edhe Kryebashkiaku Adrian Gurma. Fokusi i këtij takimi, të mbajtur në kryeqytet, Ishin analiza e rezultateve dhe ecuria dyvjeçare me projektin “Manaxhimi i Modernizuar e Miqësor me Mjedisin, i Mbetjeve të Riciklueshme”. Puna e bërë në Sarandë, në harkun kohor të dy viteve për implementimin e projektit, u përcoll tek të pranishmit si model suksesi. U diskutua gjithashtu për hapësirat e mundësitë, për projekte të tjera në të ardhmen.

 

BIZNESI I SARANDËS GATI PËR SEZON TË MBARË

Pas Ksamilit, Bashkia e Sarandës dhe Kryetari i saj Adrian Gurma, ka bërë pjesë të bashkëbisedimit për përgatitjet e fundit për sezonin, biznesin turistik të qytetit të Sarandës. Përgjegjësia dhe detyrimet për këto përgatitje, janë parë të pandara, por si partnerë dhe bashkërealizues të destinacionit turistik. Zotëruese ishte bindja se pritet një sezon turistik i mbarë, por lidhur ngushtë me këtë, theksi u vu në përmirësimet e mundshme në javët e mbetura. Vëmendja e parë është te sistemimi i stacioneve të plazhit, për të cilat u vlerësua pozitivisht aplikimi dhe kryerja e punimeve pa u penguar, pas marrjes së autorizimit përkatës nga Bashkia. Kryetari Adrian Gurma ka ftuar bizneset turistike të Sarandës të kujdesen po aq sa për përgatitjen e strukturave pritëse edhe për t’iu përgjigjur me korrektesë rregullit të ri që do të ndiqet për tërheqjen e mbetjeve në fasha të caktuara orare. Po ashtu, tregoi për investimet në infrastrukturë që ky sezon do t’i gjejë funksionale, që nga rruga Kardhiq-Delvinë, te bypasi i rrugës poshtë Lëkurësit etj. Ai ftoi që Bashkia dhe biznesi të bëhen bashkë në promocionin e destinacionit Saranda në mediat kombëtare, të bashkëorganizojnë “Ditën e Sarandës” në Prishtinë dhe të jenë të gjithë të përfshirë në veprimtaritë komplekse që po programohen për çeljen zyrtare të sezonit “Verë 2022”. Kryetari Gurma siguroi se sërish do të ketë një akt zyrtar administrativ për ndalimin e aktiviteteve të ndërtimit në sezon. Njëherësh, u kërkua që nga biznesi i anijeve turistike dhe nga lokalet e bregut në tërësi, të mos prodhohet ndotje akustike. Edhe me bizneset e Sarandës, Kryetari Gurma përsëriti apelin për të mos i lejuar vetes spekullim me çmimet, pasi qoftë edhe një rast sporadik, bëhet shkak për imazh të keq për Sarandën. Operatorët që e morën fjalën në takim vlerësuan klimën e partneritetit të ofruar nga Bashkia dhe treguan për përgatitjet më të mira e më në kohë wë janë bërë në prag të këtij sezoni. Ndërkaq, ata sugjeruan bashkëveprim më të mirë për zgjidhje më të shpejta që kërkohen për të lehtësuar mobilitetin dhe qarkullimin e autobusave, taksive dhe automjeteve të tjera për hyrje-dalje në qytet, sidomos në aksin Hotel “Butrinti”-Kanali i Çukës dhe kur ka pengesa, të funksionojë më mirë informimi rreth tyre. U kërkua që të zgjatet në sezon fasha orare e shërbimit të autobusave në linjën Sarandë-Ksamil, të ofrohet furnizim më i mirë me ujë të pijshëm dhe ndriçim më i mirë publik në çdo lagje të qytetit. Po kështu, u takuan në mendimin që të mos vazhdohet më me ndotje akustike, pasi kështu pengojmë njeri-tjetrin. Nga të gjithë u shpreh gatishmëri që biznesi turistik sarandiot të bëhet kontributor për të promovuar fuqishëm destonacionin Saranda në mediat më të mëdha shqiptare.