IFTAR PËR BESIMTARË TË KOMUNITETIT MYSLIMAN NË SARANDË

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ka shtruar iftar për besimtarë nga komuniteti mysliman në Sarandë, ndërkohë që ata vazhdojnë agjërimin në kuadër të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Myftiu i Sarandës, Bledi Mullaj, ka falenderuar Kryebashkiakun dhe ka vlerësuar respektin e treguar në vijimësi për këtë komunitet. Nga ana e vet, Kryetari Adrian Gurma tha se iftari është për të nderuar sakrificën e besimtarëve të përshirë në agjërim. Ndërkohë që ai ka uruar agjërim të lehtë e Zoti t’u pranojë sakrificën, ka shprehur konsideratën se ata janë jo vetëm besimtar, por edhe qytetarë të mirë. Nisur nga kjo, Gurma ka siguruar do të kenë gjithë vëmendjen dhe kujdesin e qeverisjes vendore. Së bashku me Kryebashkiakun Gurma, në iftar ishin të pranishëm edhe Asaf Stroka, Kryetar i Këshillit Bashkiak, Eleron Gjoni, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë etj.

 

KUJTOHEN E NDEROHEN ATA QË ME MBROJTJEN E KUFIJVE NË DEKADA, KANË TË LIDHUR JETËN

Integriteti i kufijve shtetërorë dhe mbajtja e paprekur e tyre, ka dashur shumë sakrificë e deri dhe humbje të jetëve në shërbim. Kujtimin dhe nderimin për të gjithë ata që kanë shërbyer si ushtarakë të përkushtuar dhe për familjet e tyre, kishte për qëllim takimi mes brezave të kufitarëve të Sarandës. Organizatore e këtij takimi ishte Shoqata e “AKUSH” dega e Sarandës. Kryetari i saj, Subi Hida, falenderoi të pranishmit në këtë takim mes brezave të kufitarëve. Bilbil Resuli, ish-kuadër drejtues i forcave të kufirit, foli për vështirësitë dhe sakrificat që kërkonte shërbimi për ruajtjen e kufijve të paprekur nga shkelësit. Ushtaraku në detyrë Përparim Xhaferi tregoi për reformimin që kanë pësuar në kushtet e sotme forcat e kufirit, ndërsa ish-kuadri Asim Canaj foli për aktet heroike të tre dëshmorëve të ish Batalionit të Kufirit në Livadhja, të rënë në krye të detyrës. Disa nga të pranishmit që kanë patur të lidhur jetën dhe karrierën ushtarake me ruajtjen e kufijve, sollën kujtime nga ky shërbim në dekada të shkuara. Në takimin e brezave të kufitarëve të Sarandës, ishin edhe Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, deputetja e zonës, Anila Denaj, Prefekti i Qarkut Vlorë Flamur Mamaj etj. Kreu i Bashkisë Gurma përshëndeti nismën për të evokuar traditën dhe vlerat më të mira në shërbim të integritetit të kufijve shtetërorë. Për ish-kuadrot më të spikatur dhe për lidhjet që ata vazhdojnë të mbajnë me komunitetin dhe me kufitarët e sotëm, u dhanë Çertifikata Mirënjohjeje, nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.

 

PËR PËRMIRËSIM TË FURNIZIMIT ME UJË NË SEZONIN TURISTIK

Trokitja e sezonit veror po rrit përgjegjshmërinë për të ofruar përmirësimet e kërkuara në furnizimin me ujë të pijshëm të familjeve dhe të strukturave hoteliere. Me këtë përgjegjshmëri dhe angazhim dhe për të shënuar ecje me investimet në këtë fushë, janë takuar dhe kanë shkëmbyer mendime Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma me Drejtorin e Përgjithshëm të AKUM Klevis Jahaj. Në qendër të bisedës mes tyre ishte mbarëvajtja e investimeve, që janë duke u kryer në rrjetin e brendshëm të ujësjellës-kanalizimeve, si dhe sfidat me të cilat Saranda përballet sidomos gjatë sezonit turistik. Forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve të qeverisjes vendore me AKUM, u vlerësua si domosdoshmëri për të patur sukses reforma që do të ndërmerret në këtë sektor.

 

SHKRIMTARI STEFAN ÇAPALIKU, NË SARANDË PËR DITËN BOTËRORE TË LIBRIT

23 Prilli, që shënon Ditën Botërore të Librit, është përcjellë me veprimtari speciale, dedikuar Librit dhe Leximit. Ato kanë nisur me gjestin e dhurimit të librave nga nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të Sarandës, si dhe nga autorë krijues lokalë, që kanë mbushur Shtëpizat e Librit, të instaluara prej dy vjetësh më parë në shetitore dhe përpara Bashkisë së Sarandës. Dhuruesve të librave iu bashkuan edhe Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma e shkrimtari i ftuar prej tij, enkas për të qenë në Ditën Botërore të Librit në Sarandë. Në Bibliitekën e Qytetit shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku pati një bashkëbisedim të ngrohtë e interesant me anëtarë të Klubit Krijues “Jonianët”, me mësues të letërsisë dhe nxënës të pasionuar pas leximit dhe lëndës së letërsisë nga shkollat 9-vjeçare e të mesme. Kryebashkiaku Adrian Gurma falenderoi shkrimtarin Stefan Çapaliku që në këtë ditë të veçantë zgjodhi të jetë në Sarandë për të bashkëbiseduar për Librin. Stefan Çapaliku tregoi se 23 prilli është përcaktuar nga UNESCO prej 1995, si Ditë Botërore e Librit. Ajo është e prejardhur nga Spanja e mesjetës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil, por e lidhur po kaq edhe me lindjen ose vdekjen në këtë datë të kolosëve të letërsisë botëtore, si: Servantesi, Shekspiri, Nobakov etj. Pas kësaj, Stefan Çapaliku solli eksperiencat e tij krijuese në disa zhanre, lidhjen e tij me letërsinë e qytetit dhe me prozën e tranzicionit. Ai u ndal në faktorë të tillë si mungesa e kritikës, foli për nevojën e komunikimit me lexuesin edhe përmes takimeve të drejtpërdrejta e jo vetëm përmes veprës. Çapaliku iu përgjigj interesimit të mjaft të pranishëm në takim, si: autorë të librash, krijues, mësues letërsie dhe nxënës shkollash, që i drejtuan pyetje që lidhen me procesin e me laboratorin krijues, me raportin mes kohës së akumulimit dhe shkrimit, mbi të shkruarit dhe të shuarit të asaj që shkruhet, mbi kujtimet që ruan nga botimi i librit të parë apo mbi emocionet që ka marrë nga botimi i tij në disa gjuhë të huaja etj. Takimi u mbyll me autografët që autori Çapaliku u dha mjaft prej pjesëmarrësve në takim, që morën disa prej titujve të librave të tij.