NJOFTIM

Prej datës 9 maj 2022 deri më 14 maj 2022, në territorin e Bashkisë Sarandë do të kryhen trajtime kimike në pemët dekorative dhe dezinfektime në sipërfaqet e gjelbra, duke filluar nga ora 24.00 deri ne 05.00.
Këto trajtime do të kryhen me preparate të listës së miratuar nga BE.
Luten qytetarët të marrin masa për mbrojtjen nga dëmtimi të pasurisë vetiake.
BASHKIA SARANDË

KRYEFJALA E 6 MAJIT: BASHKË, PËR TURIZËM PA KUFIJ

Bashkimi rreth qasjes së Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Finiqit, për të bërë turizëm bashkë, përtej kufijve territorialë, u shpalos sot si një alternativë e nevojshme dhe e dobishme, që destinacionet tona turistike të bëhen më tërheqëse për turistët e vitit 2022. Rruga e përshkuar deri tani, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit nga Kryetarët Adrian Gurma e Kristo Kiço, u prezantua në Konferencën e mbajtur në Qendrën Kulturore “Katina Papa” të Livadhjasë. Konferenca me fokus Turizmin e Integruar dhe slloganin “Bashkë, për Turizëm pa Kufij”, nisi me një reportazh filmik, realizuar si rrëfim e udhëtim në asetet turistike të njohura ose të fjetura në territoret e Bashkive Sarandë e Finiq, me mesazhin e vitalizimit të tyre. Kryebashkiaku Kristo Kiço mirëseardhi të pranishmit në Konferencë, duke treguar për atë që e intrigoi nga ideja e Kryebashkiakut Gurma për t’i dhënë impuls turizmit duke i kthyer kufijtë administrativë jo në ndarës, por në përbashkues të destinacioneve. Nga ana e vet Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se kishte kohë që mendonte për këtë qasje të re të të bërit turizëm pa kufij, nisur edhe nga studime ndërkombëtare që thonë se turisti i shekullit 21, nuk mjaftohet me detin dhe rërën, as me hotelin, sado komod. Interesat e tij janë për detin dhe malin, për trashëgiminë dhe kulinarinë, për festat lokale, kostumet dhe folklorin, profesionet në zhdukje dhe udhëtimet në shtigje. Mënyra më e mirë për ta bërë diverse ofertën dhe të plotë destinacionin- u shpreh Gurma-është turizmi i integruar. Këtë qasje e ka vlerësuar të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello. Po kështu, deputeti Niko Kuri tha se ideja e turizmit të integruar jep shanse të mëdha për të rritur prurjen turistike në gjithë rajonin. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, edhe në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Turizmit, tha se nisma për turizëm të integruar rrit pritshmëritë që jugu shqiptar të bëhet edhe më i kërkuar e atraktiv këtë verë e në vijim. Kësaj nisme iu bashkuan edhe Kryetarët e Bashkive të Delvinës e Konispolit, përkatësisht Majlinda Qilimi e Shuaip Beqiri, të cilët, pas nënshkrimit të aneksit të Memorandumit të Bashkëpunimit, ndanë me të pranishmit në Konferencë, arësyet e kësaj përfshirjeje. Opinion shumë pozitiv dhe mbështetës të nismës për turizëm të integruar, dha edhe Dhimitrios Sacharidis, Konsull i Përgjithshëm i Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër. Arben Çipa, Kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, tregoi për eksperiencat më të mira të operatorëve turistikë, që i kanë paraprirë kësaj nisme, duke bashkuar destinacione turistike. Po kështu, Kristina Fidhi nga visitgjirokastra, nënvizoi se jo një Bashki e një rajon, por edhe e tërë Shqipëria është destinacion “i pamjaftueshëm” për interesat e turistit të sotëm. Ajo apeloi për bashkërendim edhe me fqinjët tanë në Greqi dhe për nevojën e prezabtimit si një destinacion sa më divers në panairet turistike e sidomos në atë të Selanikut, në tetorin e sivjetëm. Solidarizues bindës me qasjen për turizëm përtej kufijve territorialë, ishte edhe Flamur Golemi, Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, duke shprehur edhe mendimin e kryebashkiakëve të krejt Qarkut të Gjitpkastrës. Përforcues i kësaj mbështetjeje u shpreh në fjalën e vet edhe Dhimitër Toli, Kryetar i Bashkisë së Dropullit, në të njëjtin Qark. Vullnet të plotë për t’u përshirë në këtë nismë për turizëm përtej kufijve shtetërorë, shprehën në fjalën e tyre edhe Kryetari i Bashkisë së Dodonit, si dhe nënkryetarët e Bashkisë së Igumenicës, në Greqinë fqinje. Të pranishmit në Konferencë vizituan me shumë interes ekspozitën e pikave të atraksionit turistik në territorin e Bashkisë së Sarandës e Finiqit, pjesë e ofertës së përbashkët turistike. Në mënyrën e tyre, në kuadër dhe nën slloganin e Konferencës “Bashkë, për Turizëm pa Kufij”, u përfshinë edhe ekipet e volejbollit e basketbollit mes dy Bashkive, si dhe artistët, që dhanë një program të përbashkët artistik. Në territorin e Qendrës Kulturore “Katina Papa”, nga autoritretet e pranishme u mbollën fidanë pemësh të reja, si simbol i Turizmit të Integruar.

HOMAZH TË RËNËVE NË SARANDË E KSAMIL

Në Ditën e Dëshmorëve, më 5 Maj, nga Bashkia e Sarandës dhe Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Komiteti i Veteranëve, u organizuan homazhe. Në varrezat e dëshmorëve në Sarandë, u vendosën kurora nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, në emër të deputetes Anila Denaj e nga deputeti Niko Kuri, nga organizata e Familjeve të Dëshmorëve e Komiteti i Veteranëve, në emër të Prefekturës, të Këshillit Bashkiak, të Komisariatit të Policisë, Shoqatës së Ushtarakëve e Shoqatës “Labëria” etj. Autoritetet vendore bënë pastaj homazhe në varret e të rënëve për liri. Ceremoni nderuese me kurora e buqeta lulesh, u organizuan edhe në Lapidarin e 5 Dëshmorëve të Ksamilit, nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, nga deputeti Niko Kuri, nga Njësia Administrative Ksamil, nga veteranë, familje dëshmorë, nga veteranë e pasardhës etj. Sipas një tradite të njohur, ceremonia nderuese në vendin e quajtur Manastir, u shoqërua edhe me një program të shkurtër artistik nga nxënës të shkollës së Ksamilit.

NË XHAMINË E SARANDËS, URIM PËR FITËR BARJAMIN

Në ditën e shënuar për besimtarët myslimanë, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, shkoi për urim në xhaminë e Sarandës. Atje u prit nga Myftiu Bledar Mullai e bashkëpunëtorë të tij. “Gëzuar Fitër Barjamin- uroi Adrian Gurma- festën që shënon fundin e sakrificës së bërë e të pranuar gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit”. Ai ka uruar që Dita e Fitër Barjamit të përjetohet si gëzim dhe të shtojë Paqen e Mirësinë në të gjithë komunitetin mysliman të Sarandës, që ashtu siç përfaqësojnë besimtarin e devotshëm, pretantojnë edhe qytetarin e mirë. Myftiu falenderoi për urimin e për konsideratat e shprehura nga qytetari i parë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira me qeverisjen vendore. Vizita për Fitër Barjamin përfshiu edhe atmosferën e përgatitjes së Sarandës e Ksamilit për sezonin “Verë 2022”, risitë që e shoqërojnë dhe pritshmëritë për sezon të mirë, megjithë efektin e krizave, si sfidë e të gjithëve.