KSAMILI TREGON SI E PRET SEZONIN “VERË 2022”

Hotelierët dhe kuzhinjerët, bizneset në shërbim të turizmit, artistët dhe sportistët në Ksamil, treguan se janë të përgatitur për të ofruar dhe përballuar një sezon të mbarë turistik, me ofertë të përmirësuar. Pas Sarandës, veprimtaritë prezantuese dhe promovuese për sezonin “Verë 2022”, u përsëritën në Ksamil, si një destinacion po aq i preferuar nga pushues vendas e të huaj. Ksamiliotët iu bashkuan kësaj feste me praninë e tyre dhe me entuziazmin e pritshmëritë e tyre për një verë të mbarë. Vizita e Kryetarit të Bsshkisë Adrian Gurma, shoqëruar nga zëvendëskryetari Romeo Çakuli e Valbona Oruçi, administratore e Njësisë Administrative, nga këshilltarë bashkiakë etj., nisën nga tryezat e bizneseve lokale që prezantuan ofertën e kësaj vere. Siç Ksamili di ta bëjë, një panair të plotë realizoi me recetat e gatimit të prodhimeve të detit e sidomos të midhjes, që është mbretëresha e ujërave të Liqenit, që rrethojnë gadishullin e Ksamilit. Këtij panairi kulinarie, nuk iu ndanë gatimet e realizuara nga konvikti i shkollës së Hoteleri-Turizmit, institucion në varësi të Bashkisë. Stenda e kompanisë Steff, promovoi para vendasve dhe pushuesve të parë që kanë mbërritur në Ksamil, destinacionet Saranda e Ksamili, hartën e pasuruar me pika të reja të interesit turistik dhe si mund të shkohet atje. Ekspozita “Zgjidh destinacionin tënd”, në shqip e anglisht, u bë pjesë e promocionit turistik edhe në Ksamil, njësoj si në Sarandë. Nga skena e eventit, Kryebashkiaku Adrian Gurma i përshëndeti dhe uroi të pranishmit dhe gjithë banorët e Ksamilit, për një sezon plot mbarësi, me miq të shumtë nga vendi dhe bota, të cilëve sllogani “Eja në Ksamil”, u ka shkuar si një ftesë për të pushuar në këto brigje. Festa u zbukurua nga ylbere fishekzjarresh. Pas kësaj skena ishte për grupet e artistëve të Qendrës Kulturore Sarandë. Grupe të polifonisë, këngëtarë, valltarë dhe grupet e violinitë rinj, performuan për ksamiliotët dhe pushuesit. Pas tyre atmosferën e ndezi këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Juli Çenko, me këngë live, shoqëruar nga grupi i orkestrantëve të saj. Ksamili festoi deri vonë, duke e kthyer sheshin në pistë kërcimi nën ritmin dhe meloditë e këngëve aq të njohura e të dashura. Me gjithçka që u tregua e u realizua, lajtmotivi ishte “Eja në Ksamil”.

INVESTIMI PËR BYPASSIN E LËKURËSIT DREJT FUNDIT

Pjesë e punëve që duan dorën e fundit për sezonin e ri turistik, është edge bypassi ose degëzimi që merr rruga te ish-nënstacooni elektrik. Ai mundëson shkuarjen në Ksamil, duke shmangur hyrjen në Sarandë e duke bërë që të lehtësohet ndjeshëm fluksi i trafikut gjatë sezonit. Me këtë vlerësim, kompania që zbaton projektin ka intensifikuar punët. Ky bypass ka nisur të përdoret nga automjetet qysh tani, ndërkohë që punimet janë duke u mbyllur efhe në metrat e fundit. Kjo ka rezultuar edhe nga inspektimi që i ka bërë Kryetari i Bsshkisë Adrian Gurma Rrugës Lëkurës-Kanali i Çukës. Nuk ka asnjë dyshim se kjo rrugë do të hyjë tërësisht në funksion dhe e shtrusr e zëra me asfalt, për sezonin veror 2022.

“Eja në Sarandë!”, çelet sezoni “Verë 2022”

Në një atmosferë festive, me prani të mijëra qytetarëve, pushuesve e vizitorëve të shumtë dhe me veprimtari të shumëllojta e të shtrira përgjatë gjithë shetitores, Saranda zyrtarizoi më 21 maj 2022, nisjen e sezonit të ri turistik. Shetitorja ishe skenë dhe sallë e hapur për ndjekje të performancave të grupeve të folkut, të grupit të violinave e të valleve, numrave të aerobisë dhe valleve me motive qytetare.
Punuesit e tregtuesit e suvenireve turistike ishin si në një panair, që shtrihej përgjatë shetitores në afërsi të Plazhit të Ri, për t’u zgjatur deri tek shatërvani. Një artizan në vijim të tyre realizoi në sytë e publikut suvenire me guaska deti; më tej piktorja që gjithashtu hiqte penelata dhe realizonte live peizazhin; gdhendësi i mermerit nxirrte në çast figurina të ndryshme. Në vijim vinin tryezat me objekte interesante, realizuar me materiale të ricikluar, me logon e Qendrës Sociale të “Motrave Marcelina”, të shkollës jopublike “Dea”, shkollave “9 Tetori” e “Adem Sheme” dhe gjimnazit “H.Tahsini”. Një stendë me logon e Bashkisë dhe të kompanisë “Steff”, të specializuar në fushë të turizmit, ofroi hartën e përditësuar të Sarandës turistike, fletëpalosje me informacion të dobishëm turistik, si dhe numrin e parë të Revisës “Saranda”, botim i Bashkisë së Sarandës dedikuar turizmit dhe risve të kësaj vere.
Profesionistët e rinj të turizmit, recepsionistë, hoteleierë e kuzhinjerë që përgatiten në shkollën e mesme Hoteleri-Turizmit “A.Athanas”, treguan se ata bëjnë diferencën me recetat dhe mënyrën e servirjes dhe promocionit.
Ekspozitat e nxjerra në shetitore për publikun, ishin disa llojesh: ti mund të informoheshe dhe të zgjidhje destinacionin tënd të kësaj vere, duke mos u mjaftuar me atraksionet e Sarandës, por duke “shkrirë” kufijtë territorialë. Ekspozita fotografike e Luan Qendros ishte një udhëtim me imazhe në 100 vite Bashki. Me sfond superspirancën e Sarandës, një ekspozitë tjetër fotografike dhe dokumentare i dedikohej historisë dhe personazheve të detarisë sarandiote, të flotës detare, tregtare dhe peshkimit. Shikues të shumtë tërhoqi ekspozita në karikaturë e mjeshtrit Bujar Kapexhiu.
Vizita e tyre prej publikut u parapri nga ndalja në këto stacione e personaliteteve publike. Kryetari Adrian Gurma në këto vizita shoqërohej nga homologët Pjerin Ndreu, Kryebashkiak i Lezhës, Tërmet Peçi, kryebashkiak i Tepelenës, Majlinda Qilimi, Kryebashkiake e Delvinës, Kristo Kiço, Kryebashkiak i Finiqit, si dhe nga deputeti Niko Kuri, nga zëvendësministrja e Turizmit e Mjedisit, Vilma Bello, nga Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, nga ambasadori i Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Dimitris Sacharidis, konsulli i Nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi e nga CEO i Raiffeisen Bank, Christian Canacaris.
Së bashku ata vijuan vizitat në ekspozitën e makinave Retro Albania, të vendosura në shetitore, si një atraksion më vete.
Ndërkaq, të prirë nga Banda muzikore e Qytetit dhe nga 12 nxënësit e shkollës së Gjashtës, që mbanin lart tullumbacet e gërmave ku lexohej sllogani “Eja në Sarandë”, kaluan para publikut kuadratet e më të spikaturve. Një kuadrat prijës formuan nxënësit e ekselencës nga shkollat e Bashkisë së Sarandës, që identifikoheshin nga baneri “Krenaria jonë”.
Nuk munguan policët pedalues me uniformën verore që kanë në shërbim të sigurisë së sezonit, skuadra bay ëatch, infermjeret me bluzat e bardha, simbol i sigurisë shëndetsore, kuadrati i artistëve dhe sportistëve dhe fëmijët pedalues.
Për fëmijët pati një zonë të dedikuar te Sheshi i Limanit, ku ata u përfshinë në performancën e animatorëve të ardhur nga Tirana.
Zemra e veprimtarive u bë skena e madhe e ngritur në shetitore. Nga lartësia e saj dhanë urimet dhe treguan për përgatitjet e sezonit të ri dhe për pritshmëritë e tyre për Verën 2022, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe zëvendësministrja e Turizmit e Mjedisit, Vilma Bello. Urimi i tyre u shoqërua me hedhje fishekzjarresh nga bordi i anijeve turistike, nga sirenat e tyre dhe nga fluturimi i parashutistëve të Aeronautikës së Alket Islamit në Gjirin e Sarandës.
Për më shumë se një orë skena ishte për artistët e Ansamblit të Këngëve e Valleve të TOB, që mrekulkuan me motivet e këngëve, valleve burimore dhe veshjet e tyre të bukura. Pas tyre skena u nda mes humoristit Xhevahir Zeneli, këngëtares së mirënjohur Mariza Ikonomi dhe këngëtarit rinor të Kapital T. Të gjithë e ndezën atmosferën dhe ngritën peshë publikun.
Një moment special ishte ai kur Kryetari Adrian Gurma u ringjit në skenë për të anoncuar fituesit e konkursit të organizuar nga Retro Abania, për disa nga tipet e makinave më të votuara drejtpërdrejt nga publiku dhe nga votimi online.
Ndërkaq, vizitat vijuan në tryezat e hotelerisë dhe restoranteve, ku prezantohej promocioni dhe recetat e kulinarisë së biznesit vendas.
Ndalesa drejt portës përmbyllëse të aktiviteteve ishte në tavolinat e kampionëve të shahut, që Saranda i ka dhënë Shqipërisë, si dhe në momentet e bukura të lojës në rërë beach voley e street bascet.
Festa vazhdoi deri vonë, duke ndjekur koncertet e artistëve, duke kaluar në paradën e makinave Retro, në kavaletat e ekspozitave, në tezgat e artizanëve, duke gustuar pijet apo gatimet e ofruara falas nga bizneset dhe shkollat.
Ftesa “Eja në Sarandë” dhe urimi për sezon të mbarë, ishte kryefjala e ditës.

INSPEKTIM I SHËRBIMEVE ONLINE NË ZYRËN E GJENDJES CIVILE

20 ditë pas thjeshtimit të shërbimit ndaj qytetarëve në zyrën e Gjendjes Civile, duke ofruar marrjen e dokumenteve zyrtare pa nevojën e paraqitjes në sportele fizike, Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila dhe Prefekti i Qarkut Vlorë Flamur Mamaj, të shoqëruar nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, inspektuan nga afër ecurinë e këtij procesi. Zëvendësministri Mahila tha se nuk do të ketë shkurtime të punonjësve të këtyre shërbimeve, edhe në kushtet e ofrimit të tyre online. Informacioni i konfirmuar nga punonjëset ishte se ka rënë ndjeshëm numri i qytetarëve që vazhdojnë të paraqiten në sportelet fizike dhe treguan për asistencën që u jepet, sidomos njerëzce nga mosha e tretë, për të realizuar aplikimin e marrjes së dokumenteve online. Kryebashkiaku Gurma tha se janë marrë masa që asistimi i njerëzve të painformuar sa duhet dhe të pafamiljarizuar me teknologjinë e informacionit, të shtohet gjatë muajve të verës, me kthimin e emigrantëve. Zoti Mahile vlerësoi punën e deritanishme dhe masat për muajt e verës, me punonjëse të spikatura për online, ndërkohë që sqaroi se edhe emigrantët, pavarësisht nga shteti ku ndodhen, bëhen përfitues të shërbimeve online përmes aplikimit në e-albania. Përjashtim nga kjo, shtoi zëvendësministri Malile, bëjnë vetëm disa shërbimeve që ende kërkojnë paraqitje fizike në sportelet e Gjendjes Civile, të cilat tha se tashmë realizohen në kushtet e një ngarkese shumë më të lehtësuar të punonjëseve të këtij shërbimi. Ecuria e ofrimit të shërbimeve online për qytetarët, u vlerësua e mirë dhe ndryshimi i dukshëm në marrjen e dokumenteve pa vonesa, pa pengesa e në çdo moment, nga kudo ku qytetarët ndodhen, duke u kursyer atyre kohë, energji dhe para, pa qenë nevoja për prani fizike në sportele. Zëvendësministri tha se synimi është që edhe shërbimet e administratës publike, duke filluar nga viti 2023, të ofrohen pa radhë, thjesht online.