PERFORMANCË ARTISTIKE E QENDRËS KULTURORE

Skena te Sheshi i Limanit ishte për forcat krijuese dhe interpretuese të Qendrës Kulturore të Bashkisë sonë. Me repertorin e zgjedhur dhe me tingujt e violinave artistët lokalë, krijuan atmosferën që do të shoqërojë të gjithë sezonin turistik dhe njëherësh promovuan veten.

 

VIOLINISTËT E QKF NË KONCERT PËRMBYLLËS TE GALERIA

Piktura, skulptura dhe muzika u bënë bashkë në mjediset e Galerisë “Art Saranda”. Këtë e mundësoi koncerti i grupit të violinistëve të QKF, në përmbyllje të vitit mësimor. Violinistët e rinj krijuan dhe përcollën emocion me lojën e tyre, tek prindërit e pranishëm, tek turistë të huaj të pranishëm dhe tek qytetarë vendas. Ishte një shfaqje që la mbresa dhe që u dha vlerë të shtuar punëve të ekspozuara në pikturë e skulpturë, pjesë e ekspozitës “Rrugëtime, që ka bërë bashkë artistë sarandiotë nga brenda e jashtë vendit.

 

KONCERT BAMIRËSIE NGA FËMIJËT PËR FËMIJËT

“Nëse doni lumturi përjetë, ndihmoni njerëzit që kanë nevojë!” Ky mesazh social u dha nga fëmijët për fëmijët. Koncerti modest i nxënësve të talentuar nga klasa III deri në IX, kishte dedikim bashkëmoshatarë të tyre të Shtëpisë së Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë. Koncerti ishte një performancë e talentit të nxënësve në pikturë, aktrim, këngë, kërcim, valle etj. Me të ardhurat e grumbulluara nga shitja e biletave, ata blenë dhurata për banorët e Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla”. Një gjest i vogël bamirësie, por me vlerë të madhe, nga fëmijët për fëmijët.

NJË DITË E VEÇANTË PËR FËMIJËT E VEÇANTË

Natyra dhe deti janë qetësim dhe frymëzim për të gjithë fëmijët. Në gjirin e tyre një ditë krejt të veçantë e relaksuese kaluan edhe fëmijët që frekuentojnë “Qendrën Multifunksionale Për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Forcimin e Familjes” në Sarandë, një institucion tjetër me natyrë sociale në Bashkinë e Sarandës. Dita e tyre u mbush me veprimtari zhvilluese e intriguese. Fantazia e tyre u vu në punë dhe duke përdorur materiale të riciklueshme dhe lule, ia dolën të ndërtojnë kurora. Kjo ditë i bëri më bashkëveprues e të shoqëtizuar me njeri-tjetrin. Një vend të rëndësishëm në temën e bisedave mes tyre, zuri diskutimi për raportet me natyrën dhe pushimet verore që po afrojnë.