SARANDA, QYTET I KINEMASË SË HAPUR

Mbrëmjen e 15 gushtit e ka bërë edhe më të veçantë nisja e një veprimtarie triditore të formatit Open Cinema. Ky është një event i veçantë që prek për herë të parë këtë verë Sarandën Duke nisur nga sonte ekrani i dashur i kinemasë rigjeti spektatorin atje ku ai ishte duke shetitur, përgjatë pedonales së bukur. Open Cinema ka mbështetjen e Bashkisë së saj. Në përshëndetjen e vet për këtë event, Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma ka falenderuar organizatorët e Open Cinema, që në tri netë, do t’u ofrojë sarandiotëve dhe turistëve, rinisë veçanërisht, të shijojnë nostalgjinë dhe magjinë e artit të shtatë, siç njihet ndryshe kinemaja Open Cinema u shfaq qysh në natën e parë si një veprimtari që solli pranë publikut këtë verë, projeksione të premierave të fundit të kimemasë shqiptare e asaj botërore, duke nisur nga filmi nostalgjik arkivor, kronikat e kohës nga Saranda që kishim dhe emra mjaft të njohur të botës së kinemasë. Publiku mori kënaqësinë e dyfishtë pasi produktet e kinemasë vijnë në trajtën e një spektakli show, që prezantohet nga ikona Silvana Braçe dhe para ekranit, në shetitoren e ktyer në skenë dhe në sallë, performuan para ekranit të kinemasë këngëtarë të afirmuar e të dashur. Open Cinema do të jetë në Sarandë për tri netë radhazi, deri më 17 gusht.

 

PROF. DR. HASAN NALLBANI, ME EKSPOZITË VETIAKE NË SARANDË

Mysafiri i radhës në Galerinë “Art-Saranda”, është piktori i mirënjohur Prof. Dr. Hasan Nallbani, me 22 punët e përzgjedhura të krijimtarisë së tij në disa periudha. Në Sarandë ai vjen me portrete të spikatura, me kompozime dhe në çdo zhanër ai sjell tema jetësore në piktura të formatit të konsiderueshëm. Ato janë pëlqyer nga vizitorët, të cilët janë nga radhët e krijuesve dhe turistë të huaj e vendas të këtij sezoni. Emri i Hasan Nallbanit është mjaft i njohur përmes ekspozitave kombëtare e ndërkombëtare. Atë e kanë bërë të njohur edhe kontributet si restaurator i afreskeve dhe si autoritet shkencor në historinë e artit shqiptar. Mban titullin Mjeshtër i Madh. Ekspozita e Hasan Nallbanit renditet krahas emrave të mëdhenj, si: Abdurrahim Buza, Kolë Idromeno, Nestor Jonuzi etj., që janë prezantuar në Galerinë e Sarandës. Ekspozita e Nallbanit do të jetë në dispozicion të publikut deri në dhjetëditëshin e parë të shtatorit.

 

PROVUAN VETEN NË NJË KOMEDI DHE IA DOLËN

 

 

Në sallën e Bashkisë së Sarandës u vu në skenë komedia e njohur “Pas vdekjes” e A.Z.Çajupit. Aktorë të kësaj, në një version modern, ishin shtatë fëmijë të Shtëpisë së Fëmijçve “V.Pulla”: Kristo, Angjelo, Edera, Rea, Hyria, Katerina dhe Alda. Ishte e para herë që performuan në zhanrin e teatrit. Por këtë nuk e besoje dot duke i parë në lojën e tyre në skenë:të sigurt, brenda personazhit që luanin dhe harmonikë me njeri-tjetrin, në një shfaqje të këndshme.

Shumë komplimenta regjisorëve Eni Jani e Genci Fuga, që e morën përsipër këtë shfaqje jo të lehtë dhe ia dolën me sukses.

Buqetat me lule dhe duatrokitjet i morën fëmijët-aktorë, por suksesin e tyre ata ia dedikojnë profesionistëve të skenës, që punuan fort me ta, i mësuan plot durim dhe dashuri.

Vënia në skenë e komedisë “Pas vdekjes” ishte një projekt në kuadër të programit “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Bashkinë Sarandë.

NË SARANDË: MBAHET TRYEZA E KRYEBASHKIAKËVE PËR STRATEGJINË E DECENTRALIZIMIT

 

Bashkia e Sarandës është përzgjedhur nga Shoqata për Autonomi Vendore, për organizimin e tryezës rajonale për tërheqjen e mendimeve që do t’i ndihmojnë hartimit të Strategjisë së re të Decentralizimit të pushtetit vendor. Kryetarë Bashkish nga Qarku i Vlorës dhe ai i Gjirokastrës, i ka mirëseardhur Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma. Ai Falenderoi që Shoqata për Autonomi Vendore zgjodhi ta bëjë në Sarandë këtë takim rajonal. Adelina Farici, Drejtore Ekzekutive e kësaj Shoqate, duke ftuar për të ngritur dhe adresuar problematika që shqetësojnë, tha se draftimi i strategjisë së decentralizimit, është një proces që e shoqëron konsultimi me Kryetarët e Bashkive. Enea Hoti, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, tha se në strategjinë 2023-2030, kryefjalë do të jenë shërbimet ndaj qytetarëve, përfshi ato
online edhe në nivel vendor. Një prezantim që u ndoq me shumë interes nga të pranishmit dhe i parapriu diskutimit, ishte ai që paraqiti Artan Shkëmbi, ekspert për çështje ligjore dhe vetëqeverisjen vendore.
Diskutantë të shumtë u takuan në idenë pushteti vendor e ka shumë të nevojshme transferimin e shërbimeve bazike, por edhe të strukturave që mbështesin dhe garantojnë dhënien e këtyre shërbimeve qytetarëve.