DËGJESË PUBLIKE ME PREZANTIM DHE SUGJERIME NGA QYTETARËT

Në vijim të këshillimit në kuadër të projektit për zhvillimin e integruar urban e turistik, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Sarandë, organizuan me qytetarë dhe grupe interesi dëgjesën publike, në të cilën u prezantuan disa projekte të detajuara që e presin Sarandën. Në këtë dëgjesë morën pjesë specialistë të disa fushave, të ndërtimit, urbanistikës, arkeologjisë dhe grupe interesi nga biznesi turistikë, si dhe qytetarë të interesuar dhe njerez te mediave. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma vlerësoi se “Me këto projekte, synohet që Saranda të ndryshojë qasjen turistike dhe mjedisore”. Projdktet e prezantuara kishin të bënin me disa rrugë të Sarandës e fasadat, me Qendrën e Mirëseardhjes, me parkimin e përkohshëm për autobusat dhe terrenet sportive. Prezantimi u ndal edhe në impaktin social të këtyre projekteve. Ishte një dëgjesë ndryshe, pasi mjaft prej të pranishmëve ishin aktivë në kërkimin e shpjegimeve dhe në dhënien e sugjerimeve e komenteve, të cilat u mbajtën shënim nga prezantuesit e FSHZH. Përveç vlerësimit për investime të mëparshme si shkallaret, shetitorja etj., disa diskutantë kërkuan të vlerësohet si investim prioritar ai që lehtëson krizën e parkimeve në Sarandë. Të tjerë kërkuan moslejimin e pakësimit të sipërfaqeve të terreneve sportive, si dhe debatuan për detaje të ndryshme në rivleresimet e rijetesimet ne rrugën “Skënderbej”, në rrugët vertikale që lidhin unazën e Kodrës “Mitat Hoxha” me vijën bregdetare, më projektet për kryqëzimet dhe sheshin qëndror, per të mos ndërhyrë sërish në sheshin”Nene Tereza” dhe parkun “Miqësia”, përderisa është investuar pak kohë më parë.

 

REAGIM I BASHKISË SARANDË

Lidhur me problematikën e trajtuar në emisionin Stop në TV Klan, ku shfaqej një fëmijë, i cili është rezident në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës “V.Pulla”Sarandë dhe bënte fjalë për keqtrajtime në këtë institucion, sqarojmë se: Nga institucioni i Shtëpisë së Fëmijës konsiderohen të pandodhura aktet e pretenduara për keqtrajtim. Ndërkohë, edhe nga verifikimi i bërë nga grupi, që në vijimësi monitoron këtë institucion, ka rezultuar ngjarja e pretenduar e pandodhur dhe denoncimi i pavërtetë. Edhe në Komisariatin e Policisë nga vetë fëmija është konfirnuar mosushtrimi i dhunës nga edukatoret. Theksojmë se filmimi i transmetuar në “Stop” më 18 tetor 2022, është i vitit 2020, kur fëmija, në kushte karantine, për shkak të covid, është larguar nga institucioni në orët e vona. Sa i takon pretendimit për keqtrajtim të dy vajzave, sigurojmë se akte të tilla nuk kanë ndodhur. Transferimi i vajzave për të cilat bëhet fjalë, në një institucion tjetër, është kryer për shkak të kalimit të moshës, pasi në Shtëpinë e Femijëve Sarandë akomodohen fëmijë të moshës 6-15 vjeç.

BASHKIA SARANDË

KRYEBASHKIAKU GURMA PRET KAMPIONËT NË SHAH

Kthimi i shahistëve sarandiotë me trofe nga Kampionati Ballkanik i Shahut, i mbajtur në tetor në Mal të Zi, ka bërë që edhe një herë Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma të presë dhe përgëzojë për arritjet nxënësit Kelvin Kosta dhe Eklea Omerin, prindërit dhe trajnerin e tyre Lime Mihasi. Kreu i Bashkisë Adrian Gurma u ka shprehur atyre shumë mirënjohje për rezultate shumë të larta e të vlerësuara edhe jashtë vendit dhe ka siguruar për mbështetje në rritje të këtij sporti në Sarandë. Në mënyrë të veçantë ai ishte falenderues për shpalljen e Kelvin Kostës kampion i Ballkanit, i kthyer nga ai kampionat me medalje ari. Po kështu, për disa medalje nderi, të merituara nga Eklea Omeri. Dy shahistëve rezultativë dhe trajnerit të tyre Lime Mihasi, u ka dhënë Medaljonin “Çertifikatë Mirënjohjeje”, duke uruar të synojnë optimizojnë rezultatet edhe në takimet e tjera ndërkombëtare që i presin. Në takim është vlerësuar po aq edhe fakti që të dy kampionët në shah, japin për bashkëmoshatarët e tyre modelin e nxënësit të shkëlqyer.

 

SARANDA: PREZANTIM TËRHEQËS NË PANAIRIN KOMBËTAR TË TURIZMIT

Bashkia Sarandë ishte pjesë e Panairit “𝗧⭕️𝗨𝗥𝗜𝗦𝗠 & 𝗧𝗥𝗔𝗩𝗘𝗟 𝗦𝗛𝗢𝗪 𝗔𝗟𝗕𝗔𝗡𝗜𝗔 𝟮𝟬𝟮𝟮”, që u zhvillua në datat 🗓️14-15 Tetor 2022 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Saranda ishte krah tri Bashkive të tjera: Përmet, Gjirokastër dhe Berat dhe në një prezantim të grupuar me to, si pjesë e projektit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankës Botërore për promovimin e destinacioneve turistike. Tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e të pranishmëve dhe vizitorëve, promovimi i brandit të ri turistik “Saranda Jeto & Dashuro/ “Saranda Live&Love”. Kjo u përcoll përmes fletëpalosjeve dhe broshurave. Stenda u vizitua edhe nga zv. Ministre e Turizmit, znj. Vilma Bello dhe shumë aktorë të Turizmit rajonal dhe ndërkombëtar. Panairi shërbeu edhe për diskutimin rreth strategjive të zhvillimit të Turizmit në terma afatgjatë dhe ndryshimet e sjelljes së konsumatorëve pas pandemisë. Pjesë e Panairit 2022 ishin takime B2B përmes seksionit Meet&Match dhe Buyers Program, nga vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrës ishin operatorë turistikë, organizatorë të udhëtimeve në grup, agjentë të udhëtimeve, shërbimet e hoteleve dhe resorteve, profesionistët e sektorit të udhëtimeve dhe konsumatorët e turizmit. Së bashku me përfaqësues të bizneseve, ky Panair u pa si një mundësi shumë e mirë komunikimi me aktorë të rëndësishëm lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë në sektorin e turizmit.