SHAHISTËT SARANDIOTË NË 25-VJETORIN E SHOQATËS

Saranda jo vetëm që ka një ekip shahu e renditur së fundmi Kampion Kombëtar, por ka edhe një Shoqatë të Shahut, me një çerek shekulli histori. Ky përvjetor ishte arësye për të përkujtuar, festuar dhe uruar për tërë këtë rrugë, që ka sjellë shahistët e “Butrintit” në kreun e renditjes në shkallë vendi dhe në shkëlqimin e më të rinjve si Klevin Kosta që u shpall Kampion i Ballkanit dhe Ekkea Omeri, që u kthye me medalje bronzi. Me rastin e 25-vjetorit të Shoqatës së Shahut, të pranishmit, që nga flokëbardhët deri te shahistët e vegjël, nxënës të arsimit fillor, i përshëndeti Presidenti i Shoqatës, Adrian Mullai. Kryetari aktual i kçsaj Shoqate, Mjeshtri Kombëtar i Shahut Lime Mihasi solli në vëmendje se kur Shqipëria dhe Saranda përjetonin vitin e trazuar 1997, si sfidë ndaj asaj situate, shahistët themeluan shoqatën e tyre. Në këto 25 vite kjo Shoqatë ka funksionuar duke ia dalë të shtojë radhët, të rritë pasionin për sportin e intelektit, të afrojë të rinjtë e fëmijët, krahas të rriturve e të moshuarve dhe të synojë cilësinë. Këtë ndërthurje moshash e ka vlerësuar si arësye të suksesit në fjalën e vet përshëndetëse edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. “Saranda është ajo që kinematigrafisë shqiptare i ka dhënë temën e një filmi për shahun, si një parathënie për të sotmen, kur ky qytet ka një ekip kampion vendi në shah dhe prodhon kampionë të Ballkanit”. Ai tha se ndjehej pak si në faj që përballë kësaj historie dhe të sotmeje suksesi, 25-vjetori festohet dhe ekipi stërvitet në kushte modeste, pasi, në vlerësimin e tij, shahu ka vëmendje, por meriton më shumë. U vu në dukje se sporti i shahut në Sarandë ka mbështetje maksimale përveçse nga Bashkia, edhe nga biznesi vendas. Çertifikatat e Mirënjohjes që u shpërndanë, shkuan për emra emblematikë për shahun e Sarandës, duke nisur nga Kryetari i parë i shoqatës Minello Qurku (pas vdekjes), si dhe për shahistët e ndjerë Abedin Hasani, Sevo Lepuri e Barjam Barjami, tek Hysen Hysi, ish-President i parë i Shoqatës, i cili ishte prezent, për Mjeshtrin Ndërkombëtar të Shahut Ilir Seitaj. U nderuan edhe mjaft emra të tjerë të historisë 25-vjeçare të shahut sarandiot, si: Çlirim Guxho, Zenel Veleshnja, Mirosh Birjani, Dhimitraq Dhame, Vasil Gjiçali, Irakli Papadhima, Gjyzel Nelaj, Murat Mejdini, Simon Çipa, Adrian Nuhu, Fuat Karalli, Kujtim Sejdini, Niko Mëhilli, Merdes Kabo, Erald Mihasi etj. Në mënyrë të veçantë u nderuan ata që u cilëduan “yje” të Ballkanit: Kelvin Kosta e Eklea Omeri dhe secili prej fëmijëve që japin shkëndija talenti në sportin e shahut sarandiot. Festa e 25-vjetorit të Shoqatës së Shahut ishte edhe apel për të ecur në rrugën e pretendimeve dhe rezultateve të larta e të qëndrueshme.

 

📢📢Njoftim! #ReLOaD2

Pas pjesëmarrjes nga organizatat e shoqërisë civile me projekt-propozimet e tyre në thirrjen  publike të Bashkisë Sarandë në kuadër të programit #ReLOaD2, më poshtë janë publikuara rezultatet përfundimtare.

 

KËSHILLI BASHKIAK MIRATON PAKETËN FISKALE 2023

Ndër vendimmarrjet më të rëndësishme të Këshillit Bashkiak për muajin nëntor, ishte miratimi i Paketës së re Fiskale, me të cilën do të punohet gjatë vitit 2023. Deri në miratim, u debatuan edhe mjaft elemente të veçanta të saj, siç ishte taksa që aplikohet për biznesin e anijeve turistike etj. Këshilltarët vlerësuan faktin që Paketa e re Fiskale ruan të paprekur nivelin e taksimit të vitit në vijim, duke dhënë kështu impakt social. Ndërkohë, u argumentua se tipar dallues i Paketës së re është se nga aplikimi i saj vjen shtimi i të ardhurave, për shkak të zgjerimit të bazës së taksimit. Disa këshilltarë e shoqëruan votën pro me kërkesën që, ashtu siç mblidhen taksat, nga Bashkia të ofrohen edhe shërbimet në atë nivel. Për shërbimin e pastrimit u hodh ideja që të eksperimentohet që ta ofrojë vetë Bashkia, qoftë në një territor të kufizuar. Projekti i Paketës Fiskale të vitit 2023, që iu paraqit Këshillit Bashkiak, u vlerësua në pajtim me ligjin, i cili nuk lejon ndryshime taksash, në se viti është zgjedhor, për të hequr mundësinë e përdorjes elektoralisht. Kjo mbledhje, e parafundit për vitin 2022, miratoi edhe dhënien e ndihmës ekonomike, heqjen e detyrimit mujor financiar të ushqimit për vitin shkollor 2022-2023, miratoi nivelin e ri të pagave për nëpunësit civilë dhe punonjësit administrativë të Bashkisë, përjashtuar nivelin e lartë drejtues, si dhe ndryshime në Buxhetin e Bashkisë Sarandë për vitin 2022. Këshilltarët u njohën dhe diskutuan rreth një raporti të paraqitur mbi organizimin e shërbimit veterinar dhe tregjet publike të Bashkisë. Ndërkaq, kësaj mbledhjeje i takoi edhe miratimi i planit të aktiviteteve të Këshillit të Bashkisë për vitin 2023.

 

TAKIMI NË LAGJEN 4, JO DËGJESË PËR PROCEDURË, POR SI NEVOJË PËR KOMUNIKIM

Me shprehjen e një detyrimi më shumë, edhe si banor i Lagjes Nr. 4, e ka nisur fjalën e vet Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, në dëgjesën me bashkëlagjarët e vet. Ky takim është zhvilluar në frymë llogaridhënëse për punët e kryera dhe me interaktivitet mes të pranishmëve-folës, që ishin konkretë dhe realistë në vlerësimet dhe propozimet e tyre për çfarë ka mbetur për t’u bërë. Kreu i bashkisë Gurma u ndal së pari në prurjen turistike të këtij viti turistik dhe në përfitimet e marra nga çdo biznes e deri nga çdo familje, edhe në lagjen Kodër, që ai e ka cilësuar më prezantuesen, më atraktiven dhe më mikpritësen në qytetin e turizmit. Kjo ka ardhur falë klimës mikpritëse që ofrohet, si pjesa shpirtërore e ofertës turistike më cilësore dhe falë investimit në infrastrukturë e në standart shërbimesh. Nuk është e rastit që edhe përmirësimi në imazhin fizik të qytetit, ka nisur pikërisht nga Lagja Kodër, argumentoi kreu i Bashkisë. Pastrimin e quajti pikë nevralgjike për të bërë turizëm. Megjithëse kjo lagje dallon për qasjen miqsore me mjedisin, nuk ka munguar edhe apeli miqsor, pasi ende është diferenca në pastërti midis shtëpisë brenda, ndërkohë që jashtë pragut nuk është e njëjta qasje për qytetin dhe lagjen. Puna e bërë me angazhim maksimal, me task-forcën aktive në 24 orë dhe me fondin e rritur për pastrimin, të gjitha këto kanë sjellë ndryshimin, por u theksua se pa partneritet me qytetarin, asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme. Si eksperiencë më vete u prezantua ajo që është bërë për riciklimin, për të cilin Gurma tha se ka marrë vlerësime deri dhe nga diplomatë dhe nga turistë vendas e të huaj, që kanë ndjeshmëri dhe pritshmëri të larta për qëndrim miqësor me mjedisin. Ndër punët e bëra mirë në shërbim të qytetarit, u veçuan plazhet publike në qytet, përfshi edhe Lagjen Kodër. Duke nënvizuar se kësaj Bashkie i ka rënë barra t’u japë zgjidhje disa prej problematikave të krijuara në 30 vite, u tha se nga 3200 sheshe ndërtimi, janë lidhur kontrata për 900 prej tyre e të tjera janë në proces. Ndërkaq, u dhanë tregues konkretë e bindës për atë që Bashkia e Sarandës është cilësuar lider në çështjet e politikave sociale. Banorët që e morën fjalën në takim, përveçse ishin vlerësues për ndryshimin e prekshëm në çdo shërbim, dhanë sugjerime të vlefshme për të vënë prioritete në planifikimin e punëve për 2023 dhe për plotësimin e mangësive. Ata kërkuan shtim të koshave të vegjël në rrugët kryesore dhe një shpërndarje më të studjuar të kontenjerëve të mbetjeve urbane, punë më të kontrolluar ndaj operatorit të pastrimit, dhënien fund të shpërdorimit të ujit të pijshëm, bërjen e një plani të studjuar urban veçmas për Lagjen Kodër, shtimin e numrit të institucioneve të arsimit parashkollor, monitorim më të mirë të mungesave në ndriçimin publik etj. Duke çmuar të dobishëm çdo mendim të shfaqur në këtë bashkëbisedim të hapur, Kryebashkiaku Adrian Gurma u shpreh se kjo nuk ishte dëgjesë për procedurë, por pëmbushi një nevojë për të komunikuar e për të dëgjuar dhe për të të bërë më të mirën me qytetarët, për qytetarët.