NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E MIRËKUPTIMIT PËR PROJEKTIN “BASHKI TË FORTA”

Projekti “Bashki të Forta”, e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC), organizoi në Sarandë Tryezën që ka bërë bashkë Kryetarë të Bashkive nga i gjithë Qarku i Vlorës, si dhe kryetarët e Këshillave të tyre Bashkiakë, me praninë e Kryetarit të Këshillit të Qarkut, Ervis Moçka dhe Prefektit Flamur Mamaj. Me mjaft interes të pranishmit ndoqën prezantimin e Z. Norbert Pijls, në cilësinë e menaxherit të Projektit “Bashki të Forta”. Ai e zbërtheu projektin në elementët themelorë, që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, me arsimin parashkollor, me përfshirjen e Gruas në Politikë, me funksionalitetin e Këshillave Bashkiakë dhe rritjen e petformancës së Bashkive. Kryetarët e Bashkive jugore diskutuan rreth asaj që është arritur me projektin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim (SDC), të loguar “Bashki të Forta”. Ata prezantuan praktikat më të mira, si dhe problematikat e hasura, për mjaft prej të cilave u tha se janë zgjidhur, duke i ndihmuar të ofrojnë shërbime më të mira në nivel vendor. Kryetari Adrian Gurma është ndalur në eksperiencën e fituar për pastrimin, ku 85% tha se i dedikohet mbështetjes prej Qeverisë dhe 15% projektit “Bashki të Forta”. duke u bërë kështu konkurrues në sezonin e verës dhe duke dhënë shanse të mira për sezonin dimëror. Në përfundim të Tryezës Rajonale të Sarandës, u bë Nënshkrimi nga secili prej Kryebashkiakëve, i Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes tyre dhe Projektit “Bashki të Forta”. Ky projekt do të vijojë të jetë në partneritet në nivel vendor në 61 Bashki, si dhe me shoqatat e Bashkive, deri më 30 shtator 2026.

 

DREJT KOMPLETIMIT ORKESTRA FRYMORE E FËMJËVE

Projekti i Bashkisë Sarandë, për t’i dhënë qytetit Orkestrën Frymore të Fëmijëve, përveç asaj të të rriturve, është në rrugë të mirë. Me fëmijë që kanë hobi instrumentat frymorë, ka kohë që punohet nga disa instruktorë të përfshirë në këtë projekt. Gjithësesi, ata janë në kërkim të elementëve të tjerë. Për të realizuar kompletimin e reparteve të orkestrës frymore, ata janë ndalur së fundmi në institucionin e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla”. Edhe mes tyre janë zbuluar fëmijë me prirje të veçanta, të gatshëm për t’u bërë pjesë e formacionit të Orkestrës Frymore të Qytetit. Nga Qendra Kulturore e Fëmijëvr punohet me synimin që në fund të muajit mars ose në fillimin e prillit, Orkestra Frymore e Fëmijëve, të bëjë daljen e saj të parë në publik.

 

“Butrinti” e nis vitin me fitore

Një nisje shumë të bukur dhe premtuese të vitit 2023, ka bërë ekipi I “Butrintit”, me takimin e tij të parë në fushën e vet. Sfida e fillimit të këtij viti ishte me ekipin e Devollit dhe ajo u fitua me meritë. Goli I vetëm I takimit u shënua në minutën e 19-të, ndërkohë që duhet vlerësuar edhe performanca e mirë e mbrojtësit të portës së “Butrintit”, me pritjen e gjuajtjes së topit nga pika e 11-metërshit. Kështu, rezultati deri në përfundim të sfidës mbeti 1:0, i mjaftueshëm për të marrë “Butrinti” një trepikësh të vlefshëm për nisje të mbarë të vitit dhe për të rritur entuziazmin e ndjekësve të tij të shumtë dhe besimin e vetë futbollistëve e stafit teknik për ecuri të mbarë në vijim.

 

U ZHVILLUA MBLEDHJA E PARË E VITIT, E KËSHILLIT BASHKIAK

U zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak, e para për vitin 2023. U miratuan projektvendime të rëndësishme dhe me interes komunitar, si ai “Mbi dhënien e ndihmës ekonomike” dhe kriteret e dhënies së ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën dhe nga fondet e buxhetit vendor”, për vitin 2023.. Një vend të posaçëm në zhvillimin e kësaj mbledhjeje, zuri diskutimi e më pas miratimi i sistemit të pikëzimit për aplikimin në programin e banesave sociale me qera (subvensionimit të qerasë në tregun e lirë) dhe lista e familjeve që përfitojnë nga ky program. E pandarë nga kjo, ishte miratimi i P/Vendimit mbi sistemin e pikëzimit për aplikimin në programin e banesave me kosto të ulët (subvensionimit të interesave të kredisë me kushte lehtësuese nga shteti) dhe lista e familjeve që përfitojnë nga ky program.