Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, në datat 4 e 5 tetor 2020, ishte pjesë e delegacionit të kryebashkiakëve të qyteteve bregdetare shqiptare, të cilët, me në krye Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, vizituan pikat e turizmit dimëror në Kosovë.
Gjatë vizitave në Bjeshkët e Brodit në Dragash, ata morën shijen e resurseve të turizmit malor që Kosova ofron. Nuk kishte rast më të mirë për të shprehur mirënjohjen e thellë, që, nën moton “Pusho Shqip”, këtë verë destinacionet turistike të Shqipërisë u dominuan nga shqiptarë të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare.
Njëherësh, gjatë këtyre guidave, u shpreh vullneti i plotë i kryebashkiakëve të Shqipërisë, për sipërmarrje reale që, me një fluks turistik të mirëorientuar nga Shqipëria drejt Kosovës, të arrihet të bëhen po kaq të vizituara në sezonin vjeshtë-dimër 2020-2021, Bjeshkët e bukura të Kosovës.
Me ndarjen e çertifikatave të mirënjohjes për përfaqësues të bizneseve e mediave kosovare, u bë përmbyllja e vizitës së Ministrit Klosi dhe kryebashkiakëve të Shqipërisë në Kosovë.