Fshati Gjashtë ka qenë një nga zonat ku është investuar në infrastrukturë. Rrugët e brendshme në këtë fshat janë rikonstruktuar dhe do të vijohet dhe në ato pjesë ku nuk është ndërhyrë akoma.
Për të inspektuar nga afër punimet në fshatin Gjashtë, kanë qenë kryebashkiaku Adrian Gurma dhe deputeti i zonës, Alket Hyseni.
Me grupe interesi nga Saranda, Ksamili dhe kryetarë të fshatrave që janë pjesë e Bashkisë së Sarandës, u organizua një dëgjesë publike. Përmes dëgjesës u morën mendime dhe sugjerime që lidhen me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV). Periudha kohore më shumë se dyvjeçare, pas miratimit të PPV të Sarandës, ka nxjerrë në pah edhe kufizime e mangësi të këtij plani, disa prej të cilave u vunë në dukje nga qytetarë dhe biznesmenë, të pranishëm në dëgjesën publike, organizuar në mjedis të jashtëm dhe me pjesëmarrje të kufizuar, në zbatim të masave anticovid.
Mendimet e shfaqura u cilësuan të vlefshme dhe ato do të jenë pjesë e një raporti që Bashkia Sarandë, do t’ia drejtojë strukturave përkatëse në nivel qendror, si: AZHT e AKPT, për t’u reflektuar në rishikimin e PPV.
Nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, u nënvizua se rishikimi i PPV është një proces që nuk ndalet me këtë dëgjesë e prandaj do të ketë të tilla, sa herë do ta kërkojnë interesat e zhvillimit të pronës dhe territorit në stade dhe sfida të reja.
Gjashtarët meritojnë të jetojnë në kushte të krahasueshme me qytetin. Nga kjo Bashki fshati Gjashtë vlerësohet si lagja e gjashtë e Sarandës. Për këtë arësye, infrastruktura rrugore u vendos si përparësi për të zvogëluar ndryshimin. Disa rrugë janë sistemuar me koncept të ri e në disa është në përundim veshja me shtresë të re asfalti.
Të tjera investime janë vënë në kalendarin e punëve për vitin 2021, që do të buxhetohen nga të ardhurat e Bashkisë për këtë komunitet.