FOKUSI YNË: INFRASTRUKTURA RRUGORE NË FSHATRAT E BASHKISË

Punët e vogla, por të rëndëdishme për jetesën e banorëve të fshatrave pjesë e Bashkisë së Sarandës, po e përmirësojnë dukshëm dhe ndjeshëm situatën. Rrugët krysore dhe ato që lidhin lagjet e Gjashtës, Lëkurësit, Shelegarit dhe Berdeneshit, janë puna e këtyre ditëve të fundit të vitit, duke i shtruar me beton e duke i sistemuar.
Të tjera investime të tilla, që ngushtojnë dallimin mes qendrës dhe periferisë, janë pjesë e projektit të Bashkisë për vitin 2021, që do të përballohen nga të ardhurat vendore.

“BABAGJYSHI” SHTON GËZIMIN E FËMIJËVE TË KOPSHTEVE

21 dhjetori ka qenë dita e fëmijëve të kopshteve publike në Sarandë. “Babagjyshi”, i ngarkuar me thesin me dhurata enkas për ata, u ka shkuar në mjediset e zbukuruara me simbole, ngjyra dhe drita, për festat e fundvitit. Dhurata e Bashkisë, që ata kanë marrë, u ka shtuar gëzimin e këtyre ditëve të fundit të vitit.
Këtë moment fëmijët e kanë pritur me atmosferën e gëzueshme, që krijojnë, sipas traditës, me këngët, vallëzimet dhe recitimet e yre.
Koncerteve të tyre spontane u janë bashkuar urimet për një vit të ri, më të mirë se ky që po ikën, plotësues të ëndrrave dhe dëshirave fëminore.

“Butrinti” nuk di të ndalet, merr fitoren e radhës në transfertë ndaj Tepelenës

“Butrinti” vijon serinë e fitoreve në kampionat, duke mos u thyer as në sfidën e sotme në transfertë përballë Tepelenës. Një fitore e pastër, me rezultatin 0-2, i dha suksesin e radhës skuadrës së Milto Gurmës, që po shfaqin një futboll mjaft të bukur në këtë edicion të ri. Golat e shënuar nga Barka dhe Mirani, vendosën fatet e kësaj sfide, ku “Butrinti” mori tri pikë të arta. Pas këtij suksesi, sarandiotët vijojnë të udhëheqin të vetëm tabelën e renditjes, me 19 pikë të grumbulluara. Viti 2020 do të mbyllet me sfidën direkte, që do të ketë me Maliqin, këtë të mërkurë, në stadiumin “Andon Lapa”.

“KARTOLINAT” E PARA SHKOJNË PËR VOGËLUSHËT E KLASAVE TË PARA

Ishin nxënësit e klasave të para, të parët që “Babagjyshi” i gjeti, për t’u dhënë të parëve dhuratën e Bashkisë Sarandë e për t’i bërë sa më të gëzueshme këto ditë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2021. Për të respektuar masat anticovid, ky moment ka qenë i ndryshëm nga mënyra e shpërndarjes sipas traditës së viteve më parë. Dhuratat e Bashkisë në të gjitha klasat e para të shkollave në territorin e Bashkisë Sarandë, u janë dhënë vogëlushëve nga mësueset e tyre, shoqëruar me urimin për Krishtlindje të gëzuara dhe një vit të ri plot shëndet, suksese dhe gëzime.