HAPËSIRA NË BRENDËSI TË LAGJES, KTHYER KOMUNITETIT

Lagja Kodër jep më shumë mundësi për të kthyer hapësirat e lira në brendësi të bllok-pallateve në qendra të vogla pushimi e çlodhjeje. Një shesh pushimi i tillë iu shtua këto ditë të fundit të vitit. Sheshi u shtrua e u pajis edhe me ndenjëse për çlodhje. Është ndër ato investime që nuk duan fonde të mëdha, por duan dashuri e ndjeshmëri të madhe për banorin dhe njeriun e thjeshtë. Kështu do të vahdojmë të kryejmë investime të tilla në qytet dhe në fshatra, në vitin e ri që po vjen.

MARRIN DHURATA DHE JAPIN SHUMË EMOCION ME PERFORMANCËN ARTISTIKE

E sotmja ka qenë ditë e rezervuar për të shtuar harenë e festave dhe për të dhënë dashuri për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë. Kjo u bë përmes dhuratave të përgatitura enkas për këta fëmijë, që e mirëseerdhën dhe rrethuan Babagjyshin dhe Kryebashkiakun Adrian Gurma, me shumë dashuri.
Banorët e institucionit social të Shtëpisë së Fëmijëve, në shkëmbim të përkujdesjes dhe vëmendjes që marrin gjatë gjithë vitit, e pritën me gjeste gëzimi dhe mirënjohëse momentin e sotëm. Të përgatitur nga edukatoret e tyre për këtë ditë, ata krijuan emocion të veçantë me koncertin e tyre të pasur në këngë, kërcime ritmike, me interpretime në instrumentat më të dashur muzikorë dhe fragmente teatrore, me pjesët më të zgjedhura nga përditshmëria e jetës artistike në Shtëpinë e tyre të madhe.

FOKUSI YNË: INFRASTRUKTURA RRUGORE NË FSHATRAT E BASHKISË

Punët e vogla, por të rëndëdishme për jetesën e banorëve të fshatrave pjesë e Bashkisë së Sarandës, po e përmirësojnë dukshëm dhe ndjeshëm situatën. Rrugët krysore dhe ato që lidhin lagjet e Gjashtës, Lëkurësit, Shelegarit dhe Berdeneshit, janë puna e këtyre ditëve të fundit të vitit, duke i shtruar me beton e duke i sistemuar.
Të tjera investime të tilla, që ngushtojnë dallimin mes qendrës dhe periferisë, janë pjesë e projektit të Bashkisë për vitin 2021, që do të përballohen nga të ardhurat vendore.

“BABAGJYSHI” SHTON GËZIMIN E FËMIJËVE TË KOPSHTEVE

21 dhjetori ka qenë dita e fëmijëve të kopshteve publike në Sarandë. “Babagjyshi”, i ngarkuar me thesin me dhurata enkas për ata, u ka shkuar në mjediset e zbukuruara me simbole, ngjyra dhe drita, për festat e fundvitit. Dhurata e Bashkisë, që ata kanë marrë, u ka shtuar gëzimin e këtyre ditëve të fundit të vitit.
Këtë moment fëmijët e kanë pritur me atmosferën e gëzueshme, që krijojnë, sipas traditës, me këngët, vallëzimet dhe recitimet e yre.
Koncerteve të tyre spontane u janë bashkuar urimet për një vit të ri, më të mirë se ky që po ikën, plotësues të ëndrrave dhe dëshirave fëminore.