Është hera e parë që një grup kaq i madh artistësh të penelit dhe daltës, nga hapësira e trojeve shqiptare, bëjnë një ekspozitë të vetme me një dedikim të vetëm: VAJZAT DHE GRATË SHQIPTARE. Destinacioni i ekspozitës së tyre ka qenë Galeria “Art Saranda” në një ditë të veçantë,Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.
Pra, 100 krijime në pikturë e skulpturë me fokus figurën e vajzave dhe grave, si dhe personalitetin e sfidat e tyre, që nënshkruhen prej 100 autorëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, erdhën si një event shumë i veçantë, kuadruar gjithashtu në një vit të veçantë si 2021, që shënon 100 vjet qeverisje për Bashkinë e Sarandës.
Kjo u mundësua nga bashkëpunimi shumë efikas dhe të jashtëzakonshëm të Qendrës “Tirana Art” me Bashkinë e Sarandës.
Çelja e ekspozitës u bë me një ceremoni të thjeshtë dhe me pjesëmarrje vetëm të një pjese shumë të vogël të bashkëautorëve të saj e po ashtu me fare pak prezencë nga krijues e artdashës sarandiotë, në respekt të masave anticovid.
Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, e vlerësoi ekspozitën si të pangjashme me të tjerat, pasi me frymëzim dhe me gjuhën e artit, jep mesazhe të dobishme për rolin, për figurën dhe sfidat e vajzave dhe grave në shoqërinë shqiptare e po aq jep apelin për t’u përfshirë në mbrojtje të personalitetit të tyre, kundër dhunës. Kryebashkiaku Gurma nënvizoi se numri 100 i autorëve të përfshirë në këtë koloni e në këtë ekspozitë, na qëndron mjaft mirë me 100-vjetorin e Bashkisë sonë, që shënon viti 2021. “Në kornizën e këtij jubileu dhe të historisë njëshekullore që bën këtë vit qeverisja vendore e Sarandës, nuk ka dyshim se ky do të mbahet mend si një ndër eventet interesante, për artin e veçantë dhe dedikimin e veçantë, me fokus Gruan”- u shpreh ndër të tjera ai.
Ekspozita dhe bashkëpunimi shumë i mirë për ardhjen dhe promovimin e saj, mes organizatorëve të Qendrës “Tirana Art”dhe Bashkisë së Sarandës, u vlerësua maksimalisht, si nga Jona Dividi, në cilësinë e piktores dhe Drejtores Ekzekutive të Qendrës “Tirana Art”, ashtu edhe nga piktorë pjesëmarrës si autorë, apo nga Prof. Dr. Hivzi Muharremi, kritik arti nga Prishtina. Ata e cilësuan këtë si një nismë dhe një nisje të mirë, që hap rrugën për realizime të tjera të përbashkëta, deri në konkurse për skulpturën e parkut në Sarandë, konkurse për fotografinë dhe për organizime që nxitin përfshirjen e njerëzve dhe moshave sa më të reja, me hobi për pikturën, skulpturën etj.
Ekspozita “Aristët për Gruan”, e 100 krijuesve të artit pamor nga trojet shqipfolëse, do të qëndrojë e hapur në Sarandë, deri në muajin maj 2021.