Veprimtaria e përvitshme “Dita e Miqësisë e Gazetarëve”, oganizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), pas 9 edicionesh, u zhvillua në Sarandë nga 20 deri në 21 shkurt 2021.
Organizimi në kushte pandemie, diktoi pjesëmarrje në numër të limituar dhe në masa për mospërhapje të virusit covid 19. Përveç dimensionit profesional, ky edicion ishte një sipërmarrje mediatizuese e aseteve turistike në rajonin jugor të vendit, si mbështetje për përgatitjen e sezonit “Verë 2021”.
Ishte kjo arësyeja që eventi i gazetarëve nga hapësira mbarëshqiptare, u zhvillua në partneritet me Bashkinë e Sarandës. Kryebashkiaku Adrian Gurma rezervoi një pritje të veçantë për përfaqësues të Unionit të Gazetarëve, të kryesuar
nga kreu i UGSH, Aleksandër Çipa. “Ne, përfaqësuesit e pushtetit vendor, e ndjejmë si tepër të nevojshëm bashkëpunimin me mediat, lokale dhe qendrore, jo vetëm për të promovuar vlerat turistike, por edhe për të marrë sugjerimet dhe kritikat reale që vijnë nga mediat, për të përmirësuar shërbimet jetësore për komunitetin dhe shërbimet publike cilësore, që lidhen me turizmin”, – nënvizoi Kryetari Adrian Gurma. Ai shtoi se kjo merr një rëndësi edhe më të posaçme në vitin 2021, që shënon 100-vjetorin e Bashkisë së Sarandës, me një shekull histori qeverisjeje.
Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, e njohu zotin Gurma me qëllimin e organizimit të Ditës së Miqësisë të Gazetarëve, si një event, përmes të cilit njihemi me vlerat më të spikatura të rajoneve ku jetojnë shqiptarët, por edhe si ditë të ballafaqimit dhe reflektimit të respektimit të etikës dhe profesionalizmit në radhët e gazetarëve. Duke marrë fjalën në takim, gazetari i njohur Frrok Çupi u ndal tek disa dukuri të padëshiruara që vërehen në punën e mediave shqiptare, sikurse janë lajmet e rreme, sulmet e pabazuara në fakte, “gjobat” e gazetarëve ndaj përfaqësuesve të strukturave të qeverisjes vendore etj. Drejtuesit e degëve të UGSH në disa qarqe, nënvizuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit media-pushtet vendor, përmirësimin e partneritetit në shërbim të informimit dhe rritjes së transparencës e llogaridhënies së administratës vendore.
Kreu i Shoqatës Kulturore RESS-EGNATIA falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Sarandës, z. Adrian Gurma, për mbështetjen që i dha organizimit të edicionit të 9-të të Ditës së Miqësisë së Gazetarëve Shqiptarë, duke kontribuar e bashkëpunuar si partner me organizatorët e këtij eventi, me shtrirje mbarëshqiptare.



