Sot Saranda ka dhënë sinjalin e parë të nisjes së punës për mundësimin e riciklimit të mbetjeve. Qendra e Riciklimit të tyre  është përcaktuar të jetë në Volloder të Sarandës, 5 km në periferinë e afërt të saj. Në prani të zonjës Christine Koenig, drejtore e projektit DKTI-2 dhe Kryebashkiakut të Sarandës, Adrian Gurma, është përuruar nisja e punimeve për këtë investim, që mundësohet nga GIZ.
Qendra e Riciklimit në Bashkinë Sarandë do të bëhet në një territor prej rreth 6.000 m2, në truallin ku, përpara vitit 2015, (kur hyri në funksion landfilli i Bajkaj), ka qenë pika e grumbullimit të mbejteve urbane për këtë Bashki,
Qendra do të shërbejë për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, më tej me presimin e tyre dhe bërjen të gatshme për tregun e përpunuesve. Mbetjet e riciklueshme, që do të grumbullohen e përpunohen në Volloder, do te jene kryesisht plastike, letër e karton, kanaçe alumini, mbetje të vajërave ushqimorë, mbetjet elektronike, që kanë mundësi për t’u ricikluar nga industria përpunuese vendase. Projekti parashikon vendosjen e koshave të dedikuar në shkolla, në sheshe e shetitore, pranë marketeve të pikave të ndryshme turistike etj.
Vlera e këtij investimi, që bëhet me mbështetjen e GIZ, është rreth 50 mijë euro, pa llogaritur makineritë, trajnimin e punonjësve që do të operojnë në këtë fushë dhe infrastrukturën sekondare.
Ndërtimi i Qendrës së Riciklimit në Sarandë pritet të përfundojë në fund të muajit prill.
Përpara përurimit të nisjes së punimjeve në terren, zonja Christine Koenig dhe ekipi i ekspertëve që e shoqëronte, u pritën në një takim prezantues të projektit, nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma. Ai ka vlerësuar projektin dhe investimin për Qendrën e Riciklimit, si një mundësi për të pasur qasje të re e mentalitet të ri në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sidomos në kushtet e sezonit, kur ato 3-4 fishohen, çka do të na bëjë edhe më miqësorë me mjedisin