Në Ditën Botërore të Edukimit, Saranda zgjodhi të zgjojë dhe edukojë dëshirën për lexim dhe për qarkullimin e librit. Në hollin para ndërtesës së Bashkisë gjendet Shtëpiza e Librit, ku shkruhet sllogani i lëvizjes ”Sill një libër, merr një libër”. Vizitorë dhe donateorë të parë të kësaj Shtëpize u bënë një grup nxënësish nga Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë. Ata iu afruan rafteve të saj duke lënë në to librin e lexuar e duke marrë që andej tituj të rinj.
Nuk munguan edhe autorë sarandiotë, që dhuruan botimet e tyre, duke pasuruar kështu Shtëpizën e Librit.
Kjo Shtpizë erdhi si inciativë e Bashkisë dhe si materaializim i ambicies së Kryebashkiakut Gurma, për t’iu afruar edhe Saranda praktikës shumë të njohur të botës së qytetëruar, që librin dhe leximin e ka pjesë të përditshmërisë.
Vangjel Xhani, një guidues me shumë përvojë, që shoqëron prej tri dekadash grupe të turistëve të huaj në atraksionet e Sarandës, dritaret e Shtëpizës së Librit i krahason me një ekran të kulturës dhe dijes.
Prej kësaj dite të parë të kësaj Shtëpize, shtohen ata që i gjejnë kohë dhe i drejtohen asaj me një libër nën sqetull, për ta lënë atje e për të marrë që andej një tjetër libër, të palexuar.
Është e vetmja “shtëpi” pa çelës, e cila qëndron e hapur për këdo, duke qëndruar atje si një market kulture. Edhe si një ftesë dhe qortim që librin në këto dekada e kemi larguar disi, duke e tepruar me televizorin, me celularin, me ipadin dhe kulturimin dixhital.
Shtëpiza e Librit ka rrugë për të bërë: nga qendra e Bashkisë, në lagjet e Sarandës, në shkolla e pranë dyerve të marketeve dhe pranë bizneseve të mëdha turistike. Në intinerarin e saj nuk mund të mos jetë Ksamili e pse jo efhe fshatrat pjesë e territorit të Bashkisë së Sarandës. Lëvizja kulturuese “Sill një libër, merr një libër”, synon të na kujtojë e afrojë më shumë me librin, të rizgjojë dëshirën për leximin dhe t’i kthehemi miqësisë me librin.