Investimi për një aktivitet ekonomik në fushën e peshkimit, ndërthurrur me atraksionin e veçantë në llojin e vet në fushë të turizmit, po projektohet të nisë në Sarandë. Është fjala për kompaninë spanjolle Balfego, lider në botë për investimin në aquakulturë dhe turizëm, që ka shfaqur interes për të investuar në Kepin e Qefalit.
Gjatë pritjes, që Kryebashkiaku Adrian Gurma rezervoi për grupin e drejtuesve dhe specialistëve të Baltego, shoqëruar nga z. Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë, u tha atyre se “Investitorë si ju i ngrenë vlerën Sarandës si markë turizmi dhe se prezantimi i idesë së investimit tuaj jep shpresë se kjo do të jetë një shtysë e re ndaj sektorit të peshkimit tek ne, por edhe turizmit”. Për këtë z. Gurma siguroi se do të kenë suport maksimal nga pushteti vendor.
Investimi i pritshëm për të nisur qysh në verën e këtij viti, është kaq i thjeshtë: spanjollët do të organizojnë ture turistike, që do të thotë se me një anije të posaçme marrin turistë nga qyteti i Sarandës, çohen në koshat e kultivimit të peshkut në Qefal. Në kushte të plota sigurie, ofrohet që të rrisin adrenalinën duke notuar së bashku me peshq të peshës 200-300 kg, duke u hedhur atyre ushqim e pse jo, prej tyre mund të zgjedhin atë që dëshirojnë për t’u gatuar për ta.
Përfaqësues të kësaj kompanie, që në Spanjë numëron 5 gjenerata, kanë bërë sot navigimin e parë drejt Qefalit, ku janë përzgjedhur hapësira detare të vlerësuara të përshtatshme prej tyre për investimin e pritshëm, në bashkëpunim me kompaninë shiptare “Rozafa”.
Investimi që Balfego projekton të sjellë edhe tek ne, shkon në disa dhjetëra milionë euro dhe parashihet që nga ky aktivitet të qarkullojnë disa qindra milionë euro.