Në Ditën e Sindromit Down Qendra për Zhvillim, e Bashkisë Sarandë, pati më shumë gjallëri se zakonisht. Vogëlushët e kësaj Qendre, me këngën, me përqafimin e ngrohtë, me demonstrimim e ushtrimeve të ndryshme gjimnastikore etj., përcollën mesazhe dhe dhanë prova se ata mund të vrapojnë drejt teje, munden të flasin dhe të tregojnë dashurinë, munden të falin ngrohtësinë e një përqafimi, mund të shkojnë në shkollë si gjithë të tjerët, të shkruajë një letër kur të jetë larg, se mund të punojë vetë, paçka se disa herë mund të jetë edhe vështirë. Falë punës plot përkushtim të stafit të kësaj Qendre, kombinuar me kushtet përherë e më të kompletuara, këta fëmijë japin mesazhin se ata prekin lumturinë. Jeta aktive që bëjnë në institucion dhe në familjet e tyre, janë argumenti më bindës që ata dhanë në Ditën e Sindromit Down, për atë se kromozomet nuk janë ato që përcaktojnë vlerën e jetës. Përcaktues janë ata vetë, që luftojnë për jetën.