21 marsi, dita e njohur për ekuinoksin pranveror, erdhi edhe me një të veçantë tjetër për Sarandën. Në portin turistik është ankoruar kruaziera “Arethusa”, me flamur maltez. Me 49 turistët ditorë amerikanë, që solli në Sarandë, u dha sinjali i çeljes së sezonit të turuzmit të kruazierave për vitin 2023. Kjo prekje e parë e kalatës së portit për këtë vit, paçka se në një ditë jodiellore, shërben si ogur i mirë për të patur sezon të mbarë në rrugë detare, me kruaziera, jahte e veliera. Kalendari i ardhjes së tyre këtë sezon shtrihet përtej nëntorit 2023, bazuar në kontratat e lidhura me agjencitë tona turistike.






