24 janari 2023, e shënjuar si Dita Botërore e Edukimit, u përcoll me një varg aktivitetesh, organizuar nga Bashkia Sarandë dhe mbështetur nga Zyra Arsimore Vendore, në shërbim të edukimit përmes leximit. Këtë mesazh e dhanë më së pari fëmijët që marrin trajtim dhe përkujdesje në Qendrën për Zhvillim, të cilët ishin të mikpritur në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma. Pastaj, bashkë me ta u dhuruan libra për Shtëpizën e Librit, përpara Bashkisë, ku prisnin dhjetëra e dhjetëra nxënës nga shkollat e qytetit të Sarandës, mësues të tyre, si dhe të moshuar nga Qendra Polivalente, që bënë të njëjtën gjë. Dhjetëra të tjerë librat e tyre i vendosën në raftet e Shtëpizës në Shetitoren e Sarandës. Pastaj, të gjithë së bashku, në mjediset e Bibliotekës së Qytetit “B.Xhaferi”, ndoqën aktivitetin “Edukojmë përmes fabulës”. Ndërkohë, nxënës e mësues nga shkolla e Ksamilit, bënë plotësimin e rafteve të Shtëpisë së Librit, të vendosur pranë njësisë së shërbimit postar. Mesazhi se libri mbetet miku më i mirë i të gjithëve, kudo që të ndodhemi dhe i të gjitha kohërave, kaloi si një apel për dashuruar librin dhe leximin. Nxënës shkollash dhe aktorë të Qendrës Kulturore, interpretuan fabula nga autorët vendorë Vasil Gjivogli e Iliaz Bobaj e të tjerë fabulistë të njohur në shkallë vendi.


























