I pari i takimeve zyrtare të ekipit nga Saranda, që gjendet në Prishtinë në kuadër të organizimit të “Ditëve të Sarandës” atje, ishte ai që rezervoi i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai i ka mirëseardhur miqtë e vëllezërit e një gjaku dhe ka vlerësuar shumë lëvizjen promocionale drejt Prishtinës e disa qyteteve të tjera, në prag të nisjes së sezonit të ri veror. Kryebashkiaku i Sarandës Adriam Gurma, duke falenderuar për pritjen e rezervuar, tha se Kosova dhe sidomos Prishtina ze kreun e pushuesve që preferojnë Sarandën apo Ksamilin. “Me turet që ne si Bashki dhe biznese kemi bërë traditë të organizojmë “Ditët e Sarandës”, – u shpreh Kryetari Gurma-prezantojmë ofertën e re edhe për vitin 2022”. Ai ka shprehur shumë mirënjohje që Kosova ka qenë arësyeja e mbijetesës së turizmit të Sarandës, edhe në vështirësitë e krijuara për shkak të pandemisë në dy vitet e fundit. Pasi tha se edhe në fushën e artit dialogu mes Sarandës dhe Prishtinës ka funksionuar mirë, me ekspozitat e disa piktorëve nga Kosova në Galerinë “Art-Saranda, apo në kuadër të Kolonisë “Artistët për Gratë”, ai nënvizoi praninë e shtuar të bizneseve kosovare në Sarandë e Ksamil, kryesisht ato të pastiçerisë, bukës etj. Në përfundim të vizitës dhe pritjes shumë vëllazërore në zyrën e Kryekomunarit Rama, Kryetari Gurma u shpreh se “Kemi ardhur tek ju edhe me një pretendim dhe propozim: që mes Prishtinës kryeqytet të Kosovës dhe Sarandës kryeqytet të turizmit, dy Kryetarëve të sotëm t’u njihet merita e lidhjes së një marrëveshjeje binjakëzimi”. Propozimi i tij u prit me shumë entuziazëm dhe gatishmëri nga qytetari i parë i Prishtinës, duke thënë janë të gjitha kushtet që nga të dy anët të nisin procedurat. Takimi Rama-Gurma u mbyll me shkëmbim suveniresh e dhuratash simbolike për dy qytetet, para të cilave u hap perspektiva e afërt e lidhjeve binjakëzuese.