Dita e Librit për Fëmijë ka nisur me sjelljen e një libri dhe marrjen e një tjetri nga shkollarët e Sarandës në bibliotekën e hapur wë gjendet përpara Bashkisë së Sarandës. Pas kësaj nxënës, mësues dhe krijues të letërsisë për fëmijë janë takuar së bashku në sallën e Bibliotekës së Qytetit të Sarandës. Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma dhe përgjegjësja e Zyrës Vendore Arsimore, Majlinda Mavro, folën për rëndësinë e krijimit për fëmijë dhe përse libri duhet të jetë miku më i mirë për çdo fëmijë. Krijuesi Hekuran Halili tha se shumë nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë i ka bërë të tillë letërsia që ata kanë shkruar për fëmijë. Nën drejtimin e regjisorit Anastas Nika, recituesit pjesëmarrës në aktivitet, që përfaqësonin shkollat “9 Tetori” e “A.Sheme” të Sarandës dhe shkollën e Gjashtës e Çukës, sollën fragmente proze, poezi, fabula, përralla etj., të shkruara posaçërisht për ata nga shkrimtarë e poetë kombëtarë, lokalë e të huaj, si dhe krijime të tyre, për këtë ditë, dedikuar letërsisë për fëmijë. Violinistët e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, nën drejtimin e Genti Xuxit, krijuan sfondin muzikor për këtë aktivitet.


































