Puna për asgjësimin e vatrave të ndotura me mbetje urbane, ka përfshirë sot periferinë e afërt të qytetit të Sarandës. Në pjesën hyrëse për në qytet, posaçërisht poshtë rrugës që kalon për në brendësi të fshatit Gjashtë, punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve të Bashkisë Sarandë, kryen heqjen e mbetjeve urbane, që kishin zënë vend prej kohësh në anë të rrugës nacionale, në afërsi me qendrën e banuar. Së bashku me punonjëset, në pastrimin e zonës morën pjesë edhe znj. Vilma Bello, zëvendësministre e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, z. Flamur Mamaj, Prefekt i Qarkut Vlorë, si dhe z. Adrian Gurma, Kryetar i Bashkisë Sarandë etj. Krahas punës për pastrimin, u bënë edhe sugjerime konkrete për t’i dhënë fund dukurisë së hedhjes së mbetjeve urbane jo në kazanet përkatëse dhe për nevojën e vendosjes së tabelave informuese, kamerave vëzhguese etj. Vetë banorë të Gjashtës denoncuan papërgjegjshmërinë e disa bashkëfshatarëve që shihet t’i hedhin mbetjet e tyre ku të munden, ndërkohë që Bashkia në rrugët e fshatit ka vendosur kosha. Ky ishte një rast për të reaguar edhe që kontenjerët të jenë më të shtuar në numër dhe të shpërndarë më mirë në lagjet e fshatit. Këto pak javë që ndajnë nga nisja e sezonit veror, do të jenë periudha e intensifikimit të punës, në kuadër të nismës për mjedis dhe Bashki të pastër, me impakt në cilësinë e jetës në komunitet dhe në cilësinë e ofertës turistike.











