Janë konkretizuar më tej detyrat për përgatitjen e Konferencës së 6 majit 2022, që do t’i dedikohet ofrimit këtë verë të aseteve turistike të Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Finiqit, si një destinacion i vetëm. Këtij synimi i ka shërbyer një tryezë e përbashkët, e drejtuar nga Kryebashkiakët Adrian Gurma e Kristaq Kiço dhe me prani të stafeve të specializuara në fushë të turizmit, të eventeve lokale e veprimtarive kulturore e sportive, si dhe me pjesëmarrje të forcave të kualifikuara nga shoqëria civile. Nga diskutimet e bëra në këtë tryezë, iu bënë përmirësimet e nevojshme platformës së prezantuar, sipas të cilës stafet me përbërje mikste do të punojnë për organizimin e Konferencës mbi Turizmin e Integruar, më 6 maj në Qendrën Kulturore “Katina Papa” në Livadhja të Bashkisë Finiq. Nga pjesëmarrësit në tryezë, u morën përgjegjësi konkrete për organizimin e Konferencës që i paraprin dhe që pritet ta bëjë të veçantë sezonin veror 2022. Konferenca me bashkëorganizatore Bashkinë e Sarandës dhe Finiqit, synon të promovojë dhe argumentojë avantazhet e përshirjes në idenë e turizmit të integruar të sa më shumë njësive vendore në rajonin e jugut shqiptar dhe me Bashkitë ndërkufitare greke.




















