Ndalesa më e veçantë në këto ditë urimesh e dhuratash për Krishtlindjet dhe festat e fundvitit, ishte ajo në Shtëpinë e Fëmijëve “Vangjel Pulla” në Sarandë. Tek banorët e kësaj Shtëpie Sociale shkoi e personalizuar dhurata me logon e Bashkisë, ndarë për secilin prej 30 fëmijëve nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, ndërkohë që edhe deputetja Anila Denaj dha dhuratat e saj. Drejtorja e institucionit Stela Dako, pasi falenderoi Bashkinë, deputeten e zonës, Fondacionin “Shpresë për Botën” dhe stafin e shkollës “Adem Sheme”, për mbështetjen dhe qëndrimin pranë këtyre fëmijëve jo vetëm në festa, tha se këta fëmijë, sa çamarrokë duken, aq të ndjeshëm e të talentuar janë. “Ajo që duhet dhënë pa kursim për këta fëmijë, është dashuria”, tha ndër të tjera deputetja Anila Denaj, ndërkohë që ka shprehur shumë mirënjohje për edukatoret, që janë kthyer në Nëna për këta fëmijë. Bashkë me urimet për festat, Kryebashkiaku Adrian Gurma ishte falenderues për punën e stafit të institucionit, duke sjellë në kujtesë aktin e edukatoreve, të cilat në grup, u karantinuan vullnetarisht në institucion gjatë pandemisë, duke lënë në plan të dytë fëmijët e shtëpive të tyre. Kreu i Bashkisë Gurma ka konkretizuar vëmendjen e shtuar ndaj këtij institucioni, me lajmin se në buxhetin 2022 Bashkia e Sarandës ka destinuar fondin që do t’i bëjë kushtet në këtë Institucion social, të krahasueshme me kushtet në shëpitë më komode e më të arreduara në qytet. Edhe fëmijët nga ana e tyre bënë dhuratë një koncert shumë të veçantë, me këngë, balet, me pjesë të luajtura në piano nga vetë ata dhe sidomos me inskenimin teatral të një përralle, që dha mesazhin se kush fal dashuri dhe mirësi, lumturohet më shumë se ai që e merr.