Shiu i papushuar nuk ka mundur të prishë agjendën e programuar. Në Sheshin kryesor të qytetit të Sarandës, mbrëmjen e sotme u bë ndezja simbolike e dritave të Pemës së Vitit të Ri 2022. Grupi i violinistëve të vegjël ka bërë nxehjen e atmosferës me tingujt e violinave. Melodia e dashur “Jingle bells”, u shoqërua me durtrokitje të të pranishmëve: fëmijë, prindër, mësues e edukatore, autoritete vendore, këshilltarë bashkiakë e qytetarë. Babagjyshi ka ftuar fëmijët dhe Kryebashkiakun Adrian Gurma para Pemës ende të pandriçuar. Pas numërimit zbritës nga 9 në 0, njëri prej fëmijëve shkeli pultin e komandimit dhe Pema simbol e vitit 2022, si dhd slita me drerët e bardhë, u mbuluan nga dritat shumëngjyrëshe. Ky moment gëzimi ishte edhe ai i shkëmbimit të urimeve të para për Vitin e Ri 2022. Pas kësaj, festimet e para për festat më tradicionale të Krishtlindjeve dhe atë të ndërrimit të viteve, vijuan në shetitore. Edhe atje, gjithashtu, pas numërimit mbrapsht, u bë ndezja e dritave në instalacionin 2022, në tunelin me drita dhe në Shtëpizën e Babagjyshit. Fjalët “Gëzuar, Gëzuar!”, ishin urimi i secilit për një vit plot shëndet dhe çdo të mirë për çdo familje sarandiote.






































