29 Nëntori i sivjetëm do të mbetet në kujtesën e sarandiotëve si dita e përurimit të busteve të Heronjve të Popullit: Vasil Llaçi, Mitro Xhani e Lefter Talo. Bustet u punuan me dashuri përkatësisht nga: Niko Godroli, Emanuel Koko e Kreshnik Xhiku. Në prani të familjarëve të Heronjve, të autoriteteve vendore, të përfaqësuesve të komitetit të veteranëve, të organizatës së familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve, zbulimi i busteve të derdhura në bronz, u bë me një ceremoni të veçantë. Kryetarja e Komitetit të Veteranëve, zonja Neriman Gjivogli, ka falenderuar Bashkinë dhe personalisht Kryetarin Adrian Gurma, duke bërë kështu realitet plotësimin e një kërkese të përsëritur në shumë vite të veteranëve, që në hapësirën më publike, buzë detit në Sarandë, të lartësohen portretet e Tre Heronjve. Nga ana e vet Kryebashkiaku Gurma tha se ky ishte një premtim i mbajtur dhe plotësimi jo vetëm i një kërkese, por edhe i një detyrimi të tij. Tre nxënëse lexuan pjesë nga jetëshkrimi i secilit prej Heronjve dhe zbuluan detaje nga akti i Vasil Llaçit si atentator i Viktor Emanuelit të 3-të dhe nga momenti i rënies heroike në luftën çlirimtare të Mitro Xhanit e Lefter Talos. Pranë busteve të Tre Heronjve të Sarandës, u vendosën buqetat dhe kurorat e para me lule të freskëta.





















