Bqeta me lule të freskëta dhe kurora janë vendosur më 29 Nëntor, edhe në Lapidarin kushtuar 5 Dëshmorëve të rënë 77 vjet më parë në afërsi të Ksamilit në Manastir. Me këtë rast bënë homazhe edhe Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, Kryetarja e Komitetit të Veteranëve, Neriman Gjivogli, Administratorja e Njësisë Administrative Ksamil, Valbona Oruçi e veteranë të LANÇ. Në një nga lokalet buzë detit në Ksamil, të zbukuruar me simbole kombëtare, nxënës të shkollës që mban emrin “5 Dëshmorët”, dhanë një program artistik. Të pranishmit ndoqën me interes të veçantë programin e përgatitur me këngë, recitime e inskenime që përcollën mesazhe për Flamurin e Pavarësinë dhe për atdhedashurinë. Një prej nxënëseve që ishte pjesë e grupit artistik të shkollës i dhuroi Kryebashkiakut, maketin e Shtëpisë së Flamurit në Vlorë, ndërtuar dhe dizenjuar me punë dore.