Kanë mbërritur në Sarandë 35 piktorë nga 14 vende të botës, të përfshirë në Simpoziumin Ndërkombëtar nën organizimin e Qendrës “Tirana Art”, që ka mbështetjen e Bashkisë së Sarandës. Pritja e artistëve të penelit është organizuar në hapësirën buzë detit në resortin Bugonvile Bay. Jona Dividi, drejtore e Qendrës “Tirana Art”, tha se Saranda do të frymëzojë krijimtarinë e piktorëve, mjaft prej të cilëve janë të shquar në vendet nga vijnë dhe për këtë ka shprehur mirënjohje për gjithë mundësitë e ofruara nga Bashkia e Sarandës. Artistët e pranishëm, të organizuar në këtë Koloni, i përshëndeti Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, duke falenderuar për promovimin e Sarandës si destinacion turistik përmes artit pamor. Ai rezervoi një pritje të ngrohtë në zyrë e vet, për një grup piktorësh, shqiptarë e të huaj, të cilët i siguroi se Bashkia nën drejtimin e tij do të jetë mbështetëse edhe e projteve të tjera artistike në vijim. Piktorët kanë vizituar sinagogën ebraike të ndodhur në qendër të Sarandës dhe e panë qytetin e Sarandës dhe Ksamilit nga bordi i anijes turistike “Pashaj-Vip”, me të cilën lundruan përreth Gjirit të Sarandës. Kolonia e piktorëve shqiptarë e të huaj, do të krijojnë për pesë ditë me radhë. Mbrëmjen e 14 shtatorit punët e realizuara si frymëzime nga Saranda, do të publikohen në shetitore, në një ekspozitë të përbashkët.



