Mbrëmjen e 27 gushtit skena te Limani ishte e tëra e fëmijëve. “Albanian Event Production”, në cilësinë e organizatorit, bëri protagonistë të spektalit të bukur talentet fëmijë që Saranda rrit, kultivon dhe nxit e stimulon. Skena u kthye në një pasarelë të promovimit të talenteve tona në këngë, në kërcim, në violinë, në pikturë e krijime letrare, në sportin e shahut e të notit, në inteligjencë, modelim, prezantim etj.
Gazetarja e njohur Albana Çakshiri, në cilësinë e sipërmarrëses së projektit dhe moderatores së spektaklit, anonçoi bukur secilin prej talenteve pjesëmarrës, të moshës nga 6-14 vjeç, duke i bërë ata të ndjehen mirë në vëmendjen dhe vlerësimin e publkut, në praninë e prindërve dhe mësuesve që i kanë përgatitur. Ajo falenderoi Bashkinë dhe Kryetarin Adrian Gurma për klimën e shëndetshme që u krijon talenteve të reja në të gjitha fushat dhe për mbështetjen e projektit të saj. Fëmijët që morën pjesë në koncert, ishin njëherësh edhe personazhe të numrit të Revistës “Albanian Kids Magazin”, dedikuar Sarandës.
Në emër të Kryetarit Gurma, spektatorin, organizatorët e eventit, fëmijët e talentuar, prindërit e tyre dhe specialistët që punojnë me ta në shkolla, në institucionin e QKF dhe Qendrën Kulturore të Bashkisë, i përshëndeti Thoma Nika, Shef i Kabinetit në Bashki.
Në mbyllje të spektaklit plot emocione, që dhuruan talentet e rinj të Sarandës, nga organizatorët u dhanë çertifikata të ndryshme dhe më të mirët prej tyre u ftuan të bëhen pjesë e spektaklit kombëtar që mbahet në Durrës.
Spektakli u mbyll me përfshirje edhe të publikut në kërcimim e valleve dhe melodive të bukura me motive të njohura popullore.





































































