Nata e tretë dhe e fundit e organizimit është përmbyllur përmes një kolazhi këngësh popullore e qytetare. Këngëtari i njohur delvinjot Perlat Merko ishte zëri i parë, që i dhuroi publikut një tufë këngësh me koloritin jugor. Këngëtarja nga minoriteti etnik grek Irini Joti, u duartrokit fort për interpretimin plot ngjyrime të repertorit të saj. Përmetari Vaskë Curri e ndezi publikun me këngët e tij popullore qytetare, shumë të njohura dhe shumë të dashura. Gjirokastritja e këngës Juli Çenko mbajti gjatë të ndezur entuziazmin e publikut, me këngët e bukura që sollën atmosferë të gëzueshme dhe shumë lirizëm. Në duet me Mjeshtrin e Madh, këngëtarin Arjan Shehu, ajo ia doli ta ndezë edhe më shumë shetitoren e kthyer në sallë të hapur për këtë event, në natën e fundit të tij.
































