Menaxhimi sa më i mirë i problematikës së stacioneve të plazhit në Bashkinë e Sarandës, ishte objekti i një tryeze në këtë Bashki, me praninë e ministrit të Turizmit e Mjedisit, Blendi Klosi dhe Prefektit të Vlorës, Flamur Mamaj. Merrnin pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë Kombtare të Bregdetit, të Zonave të Mvrojtura, nga Komisariati i Policisë dhe Policia Bashkiake.
Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, tha se stacionet e plazhit po shfrytëzohen përgjithësisht në normalitet nga operatorët, por synimi është të përshpejtohet finalizimi i kontratave dhe pagesave për to. Kreu i Bashkisë tha se është gati lista me subjektet debitore nga viti i kaluar, ndërsa me debitorët shumëvjeçarë, do të arrihet në nënshkrim marrëveshjeje për likuidim të borxhit me këste.
Në ekspozenë e bërë nga sekretari i përgjithshëm i Bashkisë, Eleron Gjoni, u tha se nga 122 stacione, vetëm në 4-5 raste janë pa gjeneruar faturë dhe se do të shpejtohet puna për lidhjen e kontratave.
Ministri Klosi kërkoi angazhim dhe marrje përgjegjësish, që të stabilizohet situata me stacionet e plazhit dhe procesi i ndarjes së tyre të përfundojë deri në 10 korrik. Ai vuri në dukje se kjo punë sivjet nisi më herët e një vit më parë dhe se, po të mos pengohej nga ligji zgjedhor, do të kishte filluar qysh në muajin mars. Me këtë ai shpjegoi pse ka më pak problematika të pazgjidhura, edhe në kushtet kur kërkesat kanë qenë të shtuara. Numri një i turizmit shqiptar nënvizoi nevojën për bashëpunim e bashkërendim mes Bashkisë dhe Ministrisë, mes Agjencisë së Zonave të Mbrojtura e asaj të Bregdetit. Në Sarandë, vuri në dukje Klosi, janë ende 30 parcela pa aplikim e pa plotësuar dokumentacionin e prandaj sot u hap aplikimi i dytë. Ndërkohë, ai u ndal në 3-4 rastet problematike në Ksamil etj., të cilat duhen zgjidhur duke i vënë fre makutërisë për plazhe. “Aplikimet- sqaroi Klosi- ka nevojë të merren një për një në analizë dhe të mënjanohet çdo shkak për ngjarje”.
Në tryezë u kërkua që të ketë një standard për të gjithë stacionet e plazhit, sa i takon kohëzgjatjes së kontratave, duke filluar me njëvjeçare, për të kaluar, kur të jenë kapërcyer problematikat, në kontrata 5-vjeçare.
Tryeza u ndal edhe në plotësimin e kriterit që çdo stacion plazhi në shtrirje 80 ml, të ketë vrojtuesin e vet, ose të kooperohet mes subjekteve, si dhe në vendosjen e tapave kufizuese të hapësirës ujore, të lejuar për notim, për të dhënë siguri në plazhe. U kërkua që, për të gjitha këto probnlematika, të jetë vepruese edhe Task Forca, në bashkëpunim me Bashkinë.