Ligji Nr. 111/ 2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” parashikon si një ndër format e ndihmës juridike edhe ndihmën juridike parësore.
“Ndihmë juridike parësore” është:
a) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;
b) dhënia e këshillimit;
c) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve;
d) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore;
e) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe
f) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.
Bazuar në nenin 13 të ligjit, ndihma juridike parësore ofrohet nga:
a) punonjësit me trajnim të posaçëm;
b) nga organizatat jofitimprurëse të autorizuara;
c) nga klinikat ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë
Organizatat jofitimprurëse japin shërbime të ndihmës juridike parësore në përputhje me autorizimin e miratuar nga Ministri i Drejtësisë, procedurat dhe dokumentacioni për autorizimin e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sa më sipër Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në bazë të Ligjit Nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe VKM-së Nr. 55, datë 06.09.2019 (e përditësuar) “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti”, ka hapur thirrjen në kuadër të aplikimit për autorizim si dhe përfshirjen e organizatave të reja në skemën e ndihmës juridike parësore.
· Afati i aplikimit: Brenda 30 ditëve nga data e publikimit të njoftimit në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare në Qendrën e Botimeve Zyrtare (publikuar në dt. 19.01.2026).
· Dokumentat që nevojiten janë të përcaktuara në thirrje: https://qbz.gov.al/eli/njoftim/2026/01/14/177/6fb3b264-c5b6-4cdb-9749-7dfc72742e0a
Në vijim të sa më sipër, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e transparencës, ju lutemi që, nëpërmjet kanaleve tuaja zyrtare të komunikimit, veçanërisht në faqet zyrtare të internetit (website), të bëni publikimin e thirrjes për aplikim të hapur nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.
Ky publikim synon informimin sa më të gjerë të organizatave jofitimprurëse që janë të interesuara për t’u autorizuar nga Ministri i Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, si dhe për përfshirjen e tyre në skemën tonë.
Përhapja e këtij informacioni nëpërmjet platformave tuaja zyrtare do të kontribuonte në rritjen e aksesit në informacion, nxitjen e pjesëmarrjes së organizatave të reja dhe garantimin e një procesi sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.


