Libri “Qytetit të lindjes, Saranda”, me autor Prof. Dr. Josif Papagjoni, erdhi në ditën e promovimit të tij. Në atmosferën e një intetesi të veçantë nga qytetarë të thjeshtë, intelektualë të spikatur nga shumë fusha, njerëz dhe familje me gjurmë të veçanta në historinë dhe të sotmen e Sarandës, krijues dhe njerëz të medias, i veçantë ishte edhe promovimi i tij, që u bë në mjediset e Galerisë “Art-Saranda”. Ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku Adrian Gurma, deputetja Anila Denaj dhe kandidati i PS për kryetar bashkie në Sarandë, Oltion Çaçi. Takimin e çeli vetë autori Josif Papagjoni, i cili u shpreh shumë falenderues për pjesëmarrjen. “Kam shkruar mbi 30 libra, por ky, s’e di pse, sikur është më pranë zemrës sime. Vitet ikin, koha hedh rrebesh mbi ne, plakemi, por respekti, vlerësimi, nostalgjia, dashuria, solidariteti, mbeten”, tha mes emocionit dhe mirënjohjes kritiku dhe akademiku sarandiot Josif Papagjoni. Në përshëndetjen e vet Kryebashkiaku Adrian Gurma tha se ky është një libër që i duhej kthimit në memorjen e Sarandës dhe sarandiotëve, plot përjetime, kujtime, mbresa dhe nostalgjitë e autorit, që meritoi mbështetjen e Bashkisë dhe ndihmën e biznesit”. Në promovim u ftuan të flasin Xhorxhi Vasili, mësuesi dhe miku i autorit, Sofo Thomari, agronomi, drejtori i dikurshëm i NB Vurgut dhe dijetari i tokës; Anastas Gurma, ish ushtaraku i lartë, krenari e Sarandës, Bregdetit; Kristo Kauri, inxhinjeri-poet që di se ç’është bima, gjethja, pylli, blerimi; Bardhyl Maliqi, shkrimtar, studiues, poet; Vangjel Agora, ish-regjisor i Estradës Profesioniste; Fehmi Sinani, pjesë e lëvizjes së dikurshme artistike në qytet; Mira Birjani, një nga gratë që kanë emancipuar mjedisin social të qytetit; Thoma Nika, gazetar i mirënjohur i Sarandës. Eventi i promovimit dha emocione edhe nga intrrpretimi prej aktorit Vangjel Agora e gazetarit Ermir Hoxha, të fragmenteve të zgjedhura nga libri. Promovimi u përmbyll me një ligjëratë falenderimi dhe refleksion mbi Sarandën, prej autorit Prof. Dr. Josif Papagjoni, si dhe me autografët në librat e dhuruar.

 

AlbaniaUSA