Në vendin ku 109 vjet më parë, buzë shetitores në Sarandë, u ngrit Flamuri i Pavarësisë, 28 Nëntori u përcoll me ceremoni nderuese, të shoqëruar nga marshet e Orkestrës Frymore të Bashkisë Sarandë. Punonjësi i Muzeut të Traditës, Xheladin Beqiri, evokoi historinë e mbërritjes në Sarandë të Flamurit të Pavarësisë. Ai u ngrit në Sarandë, duke ardhur këtu në 5 dhjetorin e 1912, si një stafetë nga Vlora e Delvina, shoqëruar nga një grup patriotësh të shquar. Pas fjalës së historianit, nën tingujt e Hymnit Kombëtar, u bë ngritja simbolike e Flamurit, shoqëruar me duartrokitje nga të pranishmit. Buqetën me lule të freskëta, në emër të Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma, e vuri në bllokun skulpturor pranë Flamurit, Nënkryetari Ramiz Husi, ndërsa në emër të Deputetes Anila Denaj, e vendosi Nënkryetarja e Bashkisë, Lindita Qendro. Buqeta vendosën edhe Asaf Stroka, Kryetar i Këshillit Bashkiak, Mirosh Birjani, Nënprefekt i Sarandës, Neriman Gjivogli, Kryetare e Komitetit të Veteranëve, si dhe Lindita Kondi, kryetare degës lokale të PS e Ismail Myrtaj në emër të degës lokale të PD.



























