Duke përshëndetur Konferencën e 22-të të Veteranëve të Sarandës, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, u shpreh se e veçantë është ajo edhe për atë vetë, pasi vjen edhe me statusin e njërit prej tyre, pas çertifikimit si pasardhës veterani kohë më parë. Ai ka vlerësuar aktivitetetin e dendur që veteranët e Sarandës nuk lodhen duke bërë për të mbajtur të gjalla e të freskëta traditat e luftës e të punës dhe ndjenjat e patriotizmit e atdhedashurisë dhe përcjelljen e tyre në breza. Kryebashkiaku Gurma, duke siguruar se ndjeshmëria e lartë për simbolet, dëshmorët dhe Heronjtë e Popullit, është një konstante e kësaj Bashkie, tha se, në kohën më të afërt të mundshme, do të vendosen në Sarandë bustet e Vasil Laçit, Lefter Talos e Mitro Xhanit. Duke u shprehur plot përulësi edhe përpara veprës së çdo veterani të Sarandës dhe pasardhësve të tyre, që përtërijnë organizatën e veteranëve, kreu i Bashkisë Gurma tha se këtë imponon shembulli që ju jepni si qytetarë të dorës së parë të këtij qyteti. Në punimet e Konferencës së 22-të Veteranëve të Sarandës mori pjesë dhe foli edhe Odise Borodini, Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ. Në seancën përmbyllëse të Konferencës u zhvilluan zgjedhjet për Kryesinë e re. Si rezultat i tyre, zonja Neriman Gjivogli u rikonfirmua Kryetare e Komitetit të Veteranëve të Sarandës.


















