Estrada Profesioniste e Sarandës, është si një fletë e historisë së këtij qyteti që e do artin dhe të qeshurën. Për shkruarjen e kësaj historie, që, me sa duket e ka mbyllur ciklin e vet, ka nisur një sipërmarrje, për t’ia kthyer në trajtën e një libri, në prag të 60-vjetorit të saj. Me dëshirën dhe vullnetin për t’i dhënë mbështetje kësaj sipërmarrjeje, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, ka pritur dhe bisedoi me Akademikun Prof Josif Papagjoni dhe ish-regjisorin e kësaj trupe, Vangjel Agora. Kryebashkiaku Gurma vlerësoi punën e bërë për të patur një libër si portret kolektiv të Trupës së Estradës, duke thënë se kështu plotësohet një boshllëk dhe përjetësohet një prej shenjave identitare të fushës shpirtërore të Sarandës. Prof. Papagjoni, që me historinë e artit dhe Estradës së Sarandës, ka të lidhur fillesat e tij të formimit profesional, tha se puna për këtë libër ka shumë nostalgji dhe shumë dashuri, por edhe shumë nderim për të gjithë ata që dhanë shumëçka nga vetja, që Estrada e Sarandës të ishte e shumëpritura e publikut në skenën e çdo qyteti ku shkonte. Kreu i Bashkisë Gurma ka siguruar se Bashkia do të jetë mbështetëse e botimit, i cili tha duhet të jetë sa më dinjitoz dhe me parametra sa më cilësorë, edhe në vështrim tipografik. Në takim u diskutua edhe për modalitete të organizimit të promovimit të librit, pas botimit të tij dhe për rritjen e lexueshmërisë së tij, duke e bërë pjesë të fondit të bibliotekave publike e atyre shkollore.









